Neglizhenca institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt mund të jetë më e gjerë sesa është bërë e ditur deri më tani. Përgjegjësia për trajtimin e rastit tregon neglizhencën edhe të institucioneve më të larta të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Gazeta Nacionale ka mësuar se pak ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte shkruar letër edhe kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi.
Përmes kësaj letre, e ndjera kishte sqaruar neglizhencën institucionale në rastin e saj, duke kërkuar ndihmë nga kreu i KGJK-së.
Burimet e gazetës kanë bërë me dije se e ndjera Arlinda Zekaj të njëjtën letër që ia ka dorëzuar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, ua kishte dërguar edhe dy institucioneve më të larta të drejtësisë në vend.
Nacionale i ka dërguar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të kuptuar nëse kreu i këtij institucioni kishte pranuar letrën e viktimës dhe nëse Këshilli kishte ndërmarrë ndonjë veprim pas pranimit të saj.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, KGJK-ja nuk ka kthyer përgjigje.
Kurse, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka pranuar se kryetari i këtij institucioni Arian Gashi e ka marrë një letër nga Arlinda Zekaj.
Mbrëmë në emisioni “Debat Plus”, ai e ka pranuar se ka marrë një letër nga viktima, duke treguar se janë ndërmarr hapa në këtë drejtim.
Sipas tij, letra e viktimës i është dërguar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.
“KPK ka pranuar një kërkesë nga zonja Arlinda Zekaj përmes së cilës ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me veprimet ndaj lëndës së saj në Prokurorinë tuaj. Andaj, bashkangjitur me aktin ua përcjellim kërkesën në fjalë që sipas kompetencave tuaja ligjore, ta trajtoni këtë çështje”, thuhet në letrën që kryesuesi Gashi ia kishte dërguar kryeprokurores Vuçetaj.
