Vetëm pak kohë para shpalljes së vendimit të gjykatës për akuzat ndaj tij lidhur me transportimin e personave për qëllime trafikimi, reperi i njohur amerikan Diddy (Sean Combs) përballet me një tjetër padi, këtë herë për abuzim seksual.
Sipas TMZ, DeonDe Nash, stilist dhe ish-bashkëpunëtor i 56-vjeçarit, e akuzon Diddy për dhunë seksuale dhe abuzim të vazhdueshëm gjatë një periudhe prej dhjetë vitesh bashkëpunimi.
Në dokumentet gjyqësore të publikuara së fundmi, avokatët e Nash pretendojnë se reperi i ktheu ëndrrën e tij për të qenë stilist i yjeve në një makth të përditshëm. “Makthi që përjetoi z. Nash vazhdon ta ndjekë edhe sot, pavarësisht përfundimit të marrëdhënies së tyre profesionale”, thuhet në padinë ligjore.
Ekipi ligjor i Nash deklaron se Diddy e nënshtroi klientin e tyre ndaj një dekade të plotë sulmesh seksuale dhe fizike, ngacmimeve seksuale dhe verbale, trafikimi, poshtërimi, kërcënimesh për jetën, ndjekjes dhe manipulimi psikologjik.
Në padinë e ngritur përshkruhen disa episode shqetësuese, përfshirë një festë të zhvilluar në vitin 2013 ose 2014, ku Diddy dyshohet se u shfaq lakuriq përpara Nash dhe anëtarëve të tjerë të stafit. Gjithashtu, sipas padisë, Diddy e prekte në mënyrë të përsëritur trupin e Nash pa pëlqimin e tij.
Ai gjithashtu akuzohet për komente të papërshtatshme dhe me natyrë seksuale gjatë punës së përbashkët, duke u fiksuar, sipas avokatëve, me orientimin seksual të Nash dhe duke e përmendur vazhdimisht atë në ambiente publike para kolegëve dhe miqve. Këto komente e bënin Nash të ndjehej i përbuzur.
Përveç ngacmimeve, në dokumente përmenden edhe raste dhune fizike, me Diddy që thuhet se i ka bërë të qartë Nash-it se ai jetonte vetëm sepse “kështu e donte ai”. Sipas padisë, Nash u mbajt nën kontroll përmes frikës, kërcënimeve dhe shantazhit, ndërsa ka marrë edhe më pas kërcënime, pas ndarjes së marrëdhënies së tyre profesionale, duke mos u ndjerë kurrë i sigurt.
