Qeveria në detyrë ka prezantuar sot pakon e re për largimin e deponive ilegale të mbeturinave në gjithë vendin, në këtë prezantim janë bërë të ditura masat konkrete dhe veprimet institucionale për mbrojtjen e mjedisit, pastrimin e hapësirave publike dhe trajtimin e ndotjes nga deponitë ilegale.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se situata me mbeturinat është bërë serioze, sipas tij, sidomos nga hapësirat që nuk mbulohen nga askush.
Kurti: Sot kemi një situatë me mangësi serioze në sektorin e mbeturinave
“Mbledhja e mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër institucional, gjë e cila nuk është lehtë e arritshme. Sot kemi një situatë me mangësi serioze në sektorin e mbeturinave. Kemi bërë gati projektligjin e ri për mbeturinat. Ligjin e kemi gati, por Kuvendin akoma jo. Situata me mbeturina është bërë serioze, sidomos nga hapësirat që nuk mbulohen nga askush. Lirisht mund të themi se kemi një emergjencë”, theksoi Kurti.
Ai po ashtu theksoi se me këtë pako parashihet largimi i rreth 500 deponive ilegale.
Kurti: Parashihet largimi i rreth 500 deponive ilegale
“Ky aksion ka për qëllim të arrijë dy efekte: së pari të intervenojë në vendet ku heqja e mbeturinave rrezikon shëndetin. Po ashtu, kërkon të shtrojë një rrugë të re, ku qeveria nuk rri duarkryq, por është prijëse e organizimit. Që aksioni të rezultojë i suksesshëm janë paraparë pesë marrëveshje me kompani. Buxheti i paraparë nga Qeveria është një milion euro. Parashihet largimi i rreth 500 deponive ilegale. Presim që gjatë kohës sa zhvillohet aksioni të kemi inspektorë që të vënë në zbatim ligjin aktual për mbeturinat”, ka shtuar Kurti.
Ministrja në detyrë e këtij dikasteri Fitore Pacolli theksoi se janë ndarë 1 milion euro për këtë pako, për largimin e deponive dhe mbulon hapësirat jashtë kufijve të vendbanimeve.
Pacolli: Çdo ndotës do të përballet me forcën e ligjit
“Janë nënshkruar marrëveshje me kompanitë rajonale në Kosovë. Ne po synojmë largimin e rreth 500 deponive të mbeturinave në mbarë Kosovën. Nuk do të ketë tolerancë për dëmtuesit e natyrës. Çdo ndotës do të përballet me forcën e ligjit”, ka deklaruar ajo.
Deponitë ilegale të mbeturinave vazhdojnë të mbeten një nga sfidat më të mëdha mjedisore në Kosovë, duke rrezikuar shëndetin publik dhe ndotur hapësirat publike.
