Një studim i ri ka zbuluar se pandemia e Covid-19 ishte “e dëmshme” për shëndetin e trurit, madje edhe tek njerëzit që nuk ishin infektuar kurrë.
Shkencëtarët thonë se presioni i shkaktuar nga izolimi i zgjatur dhe pasiguria gjatë krizës globale mund të ketë përshpejtuar plakjen e trurit. Sipas rezultateve, efekti ishte më i theksuar tek burrat, të moshuarit dhe individët nga klasat më të varfra shoqërore.
Modelet e plakjes së trurit u zhvilluan nga më shumë se 15,000 subjekte të shëndetshme dhe më pas u aplikuan te rreth një mijë pjesëmarrës të një studimi britanik afatgjatë,
Biobank, që gjurmon shëndetin e të rriturve të moshës së mesme dhe të moshuar. Gjysmës së tyre iu skanua truri para pandemisë dhe pjesës tjetër para dhe pas krizës globale shëndetësore.
Duke krahasuar skanimet me moshën aktuale të pjesëmarrësve, shkencëtarët arritën në përfundimin se pandemia ka përshpejtuar ndjeshëm plakjen e trurit, me një mesatare prej “5.5 muajsh devijim më të madh në moshën e trurit”.
“Ne zbuluam se pandemia e Covid ishte e dëmshme për shëndetin e trurit dhe shkaktoi plakje të përshpejtuar të tij (…) pavarësisht nga infeksioni SARS-CoV-2”, deklaruan ekspertët e Universitetit të Nottinghamit në revistën Nature Communications.
Drejtori i studimit, Dr. Ali-Reza Mohammadi-Nejad, shtoi: “Ajo që më habiti ishte se edhe njerëzit që nuk kishin Covid kishin shkallë dukshëm më të larta të plakjes së trurit. Kjo tregon se përvoja e vetë pandemisë, nga izolimi deri te pasiguria, mund të ketë ndikuar në shëndetin e trurit.”
Shkencëtarët vëzhguan gjithashtu efektet e infektimit me Covid-19 mbi aftësitë njohëse, duke konstatuar se të infektuarit kishin performancë më të dobët në testet njohëse pas pandemisë.
Profesoresha e Radiologjisë, Dorotee Aue, autorja kryesore e studimit, nënvizoi: “Ky hulumtim na kujton se shëndeti i trurit formohet jo vetëm nga sëmundjet, por edhe nga mjedisi ynë i përditshëm. Ende nuk mund të dimë nëse ndryshimet që pamë do të zhduken, por kjo është e mundur dhe inkurajuese.”
