Një aeroport, i cili ndodhet në Alsace, në kufirin franko-zviceran, u evakuua për arsye sigurie mesditën e së premtes, pak orë pas sabotimit që shkaktoi ndërprerje në rrjetin hekurudhor francez përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike.
“Ky është një paralajmërim për bombë”, thanë autoritetet, duke shtuar se do të ndiqet procedura e zakonshme, e cila parashikon dërgimin e punonjësve piroteknikë.
“Për arsye sigurie, terminali duhej të evakuohej dhe aktualisht është i mbyllur,” tha EuroAirport Basel-Mulhouse në faqen e tij zyrtare.
Disa aeroporte franceze, përfshirë EuroAirport, u desh të evakuoheshin në fund të vitit të kaluar për shkak të një sërë kërcënimesh të rreme me bomba. EuroAirport, i cili ndodhet në anën franceze të kufirit pranë Bazelit, priti tetë milionë pasagjerë në 2023.