Papa Françesku ka zbuluar se ai ka qenë objektivi i një atentati të dyfishtë gjatë vizitës së tij në Bagdad që u realizua në mars 2021.
Sipas Reuters, në një fragment të botuar të martën përpara publikimit të autobiografisë së tij, Papa vuri në dukje se atij iu tha nga policia pasi avioni i tij u ul në Bagdad në mars 2021 se të paktën dy kamikazë e kishin vënë në shënjestër.
“Një grua e lidhur me eksploziv, një kamikaze e re, po shkonte drejt Mosulit për të hedhur veten në erë gjatë vizitës papale”, shkruan Papa, sipas një fragmenti nga libri i botuar nga gazeta italiane Corriere della Sera.
“Dhe një furgon ishte nisur gjithashtu me të njëjtin qëllim”, shkruhet në vijim.
Vizita e Papa Françeskut në Mosul u pa si një moment i rëndësishëm në udhëtimin e tij në Irak, pasi qyteti i dytë më i madh i vendit ishte nën kontrollin e Shtetit Islamik nga viti 2014 deri në 2017. Papa vizitoi rrënojat e katër kishave atje dhe bëri thirrje për paqe.
/tiranapost