Kuriozitete

Para të gatshme apo kartela? Ja se si mund të kursejmë më shumë

Preferoni të paguani me para në dorë apo me kartelë?

Në një studim të fundit të Pev Research Center, 41% e amerikanëve thanë se nuk përdorin para të gatshme për blerjet e tyre të përditshme. Gjithashtu, 42% pranuan se rrallë kanë para në dorë.

Ndërsa nuk mund të mohohet se kartelat e kreditit na e bëjnë jetën më të lehtë, pagesa me kartelë mund të çojë në shpenzime të tepërta dhe borxhe.

Një mënyrë për të zgjidhur këto probleme është të paguani më shpesh me para në dorë. Në këtë mënyrë, ju do të shpenzoni vetëm atë që keni dhe do të shmangni pagesat me kartelë krediti.

Me kalimin e kohës, ky zakon mund ta bëjë më të lehtë menaxhimin e financave tuaja dhe të ndalojë blerjet impulsive.

Përdorimi i parave të gatshme në vend të kartelave të kreditit gjithashtu mund të çojë në kënaqësi më të madhe, sugjeron studimi i botuar në Journal of Consumer Research, transmeton Telegrafi.

Siç vërejnë ekspertët, njerëzit që paguajnë me para ndihen më të lidhur me mallrat që blejnë, shkruan The List. Çështja është se paratë e gatshme ndihen më “reale” sesa një kartë debiti ose krediti, dhe aftësia për të paguar me para në dorë mund t’ju japë një ndjenjë mirënjohjeje. Me këtë qasje, ju keni kontroll të plotë mbi paratë tuaja.

Megjithatë, është e vështirë të përqendrohesh vetëm në para. Kartelat ofrojnë prakticitet që është thjesht i nevojshëm gjatë ditës. Në vend që të jeni plotësisht të rreptë, nëse planifikoni të bëni pazar rrobash, lini kartat e kreditit në shtëpi dhe mbani me vete vetëm ato që ju nevojitet, në mënyrë që të mos shpenzoni më shumë sesa keni planifikuar.

Mendoni për atë që dëshironi të blini, vlerësoni kostot dhe vendosni një buxhet maksimal. Eksperti i financave personale, Dave Ramsey rekomandon caktimin e një buxheti në fillim të çdo muaji, tërheqjen e parave nga llogaria juaj bankare dhe më pas vendosjen e parave në zarfe.

Ju do të përdorni një zarf për sende ushqimore, një për argëtim, e kështu me radhë. Është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të qenë të përgjegjshëm dhe për t’iu përmbajtur buxhetit tuaj.