Lajme

Paraburgim 30 ditë për të miturin në Ferizaj, dyshohet për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të mituri, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 23 shkurt 2026, kur policia ka realizuar kontroll në një banesë në një rrugë të Ferizajt. Gjatë kontrollit në dhomën e gjumit të të miturit janë gjetur dhe konfiskuar sasi të ndryshme të substancave të dyshuara narkotike.

Bëhet fjalë për 86.7 gram marihuanë, 4.7 gram kokainë të ndarë në tri qese najloni, si dhe 40.2 gram hashash në formë çokollate. Po ashtu, policia ka sekuestruar 400 euro para të gatshme, një peshore dhe një pako me letra për mbështjellje të marihuanës.

Në të njëjtin vend, të miturit i është gjetur edhe një revole me gaz me mbishkrimin “Kurtulus – Taurus”, një karikator me gjashtë plumba si dhe një thikë, të cilat dyshohet se i posedonte në kundërshtim me ligjin.

Me vendim të gjykatës, ndaj të miturit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Të Ngjashme