Lajme

Paralajmërim serioz për pasoja afatgjata: Vendimi i fundit i Kushtetueses mund të paralizojë institucionet!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Në njoftimin për aktgjykimin, Gjykata tha më 28 janar se ky “në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili tha se ky aktgjykim nuk ishte në vijë me Kushtetutën.

Madje, ai kritikoi Kushtetuesesn për qasjen e saj, duke vlerësuar se po merr vendime për qëllime politike.

Image
Skënder Musliu

“Vitin e kaluar, gjatë sabotimit të PLAN-it dhe Listës serbe për konstituimin e institucioneve – Kuvendit, Lista serbe kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, kundë zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit, me pretekstin se ky post i takon ekskluzivisht një deputeti nga Lista serbe. Lidhur me këte, ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi Aktgjykimin, me të cilin, fatkeqësisht, i dha të drejtë Listës serbe, respektivisht zhgjedhjen e Rashiqit e shpalli si akt antikushtetues. Me këtë Aktgjykim, edhe një herë e më tepër, kjo gjykatë manifestoi jokonsistencë në vendimmarrje, e cila ndër vite miratoi Aktgjykime, sa kontraverse, po aq edhe kontestuese, mbase edhe në kundërshtim me vet Kushtetutën, duke e keqpërdorur për qëllime politike, e që është në funksion të sabotimit të mëtutjeshëm të institucioneve dhe i shkon në favor të PAN-it të kriminalizuar”.

Krahas kësaj, Musliu konsideron se me këtë vendim gjykata ka gabuar rëndë.

Ai theksoi faktin se, askund në Kushtetutë nuk thuhet se nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb duhet të zgjidhet nga Lista Serbe.

Madje, ai përmendi dy anomali esenciale të këtij vendimi, e që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Konsideroj se Gjykata Kushtetuese, ka gabuar rëndë, kur ajo nuk e ka shqyrtuar kushtetutshmërinë e kërkesës së Listës serbe sipas nenit 67 pika 4 të Kushtetutës që ka qenë objekt trajtimi, por është marrë me interpretimin e dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, të cilat rregullojnë zgjedhjen e nënkryetrit të Kuvendit. Mbase, askund në Kushtetutë nuk thuhet se nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb duhet të zgjidhet nga Lista serbe, sepse kjo rregullohet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Mirëpo, kjo Rregullore në dispozitat që e rregullojnë këtë materie, në gjykimin tim, ka dy anomali esenciale, që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Së pari, duke favorizuar Listën Serbe në përzgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit, ajo e ka diskriminuar dhe përjashtuar, në kundërshtim me Kushtetutën, pjesën dërmuese të komunitetit serb. Së dyti, me këtë aktgjykim, të gjithë deputetëve të Kuvendit, po iu imponohet t’a votojnë kandidatin e Listës serbe kundër vullnetit të tyre, që është në shkelje flagrante të Kushtetutës, sepse Kushtetuta decidivisht dhe imperativisht ka paraparë të drejtën e patjetërsueshme, ku thuhet se, depuetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre politike. Prandaj, në asnjë rast dhe me asnjë kusht, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’iu imponojë deputetëve të veprojnë në kundërshtim me vullnetin e tyre që ua garanton Kushtetuta”, nënvizoi Musliu.

Në vazhdim, juristi nga Belgjika shpjegoi se pse mendon se Kushtetuesja e ka favorizuar  Listën serbe, derisa tha se kjo gjykatë kishte mundësi t’ia ndalojë veprimet ant-kushtetuese të kesaj liste.

Gjithashtu, ai vlerëson se Listën Serbe e ka formuar Hashim Thaçi, i cili më pas ka bashkëpunuar në shumë raste me të.

“Personalisht mendoj se, Gjykata Kushtetuese, e cila në parim, ka obligim t’a mbrojë kushtetutshërinë në germën dhe frymën e saj, t’a garantojë ndarjen e pushteteve, ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve dhe t’a ruaj Rendin Kushtetues, është dashur që gjatë shqyrtimit, sipas detyrës zyrtare dhe në frymën e Kushtetutës, t’i shpallë nul apo antikushtetuese dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit që rregullojnë këtë materie, dhe kërkesën e Listës serbe t’a refuzojë si të pabazë, që do t’a validonte, e jo  refuzonte, zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit. Me këtë Aktgjykim, Gjykata Kushtetuese, jo vetëm se e ka favorizuar, por edhe e ka faktorizuar Listën serbe, duke i dhënë autorizime dhe kompetenca me atribute të vetos që nuk i takojnë me Kushtetutë e që mund t’i defunksionalizojë institucionet e shtetit. Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin në fjalë, kishte një rast të mirë t’ia merr këtë primat antikushtetuese dhe t’a « normalizojë » Listës serbe, mirëpo si po duket padronët e tyre ende janë mbi Kushtetutën.

Në kalim, t’ia përkujtoj opinionit se, Listën serbe e formoi Hashim Thaçi, kurse e favorizuan PLA-ni për interesa të tyre, sepse ndër vite së bashku e kanë bërë mazhorancën në Kuvend dhe kanë formuar qeveritë e kaluara. Mos të harrojmë se Lista sebe e regjistruar si parti politike, në prapavijë është një formacion parapolitik, paramilitar dhe parashtetëror, e lidhur dhe e dirigjuar nga Beogradi, dhe derisa ishte Radoiçiqi, kjo listë luante rolin e Qeverisë së Beogradit në hije, që ushtronte pushtet dhe kontrollonte pjesën Veriore të Kosovës. Lista serbe që e bojkotoi legjislaturën e VIII në tërësi, deputetët i ka « siguruar » përmes frikësimeve, shantazheve, presioneve, djegies së shtëpive, veturave…. të serbëve”, theksoi ai.

Më tej, Musliu vazhdoi me kritika ndaj Kushtetueses dhe vendimit të saj pro Listës Serbe, derisa radhiti disa nga veprimet që pikërisht kjo parti kishte marrë kundër Kosovës dhe sovranitetit të saj.

Po ashtu, përmendi edhe disa politikanë që bashkëpunuan ndër vite me LS-në.

“Skajshmërisht është e papranueshme që Gjykata Kushtetuese i del në krah Listës serbe, e cila, jo vetëm se nuk e pranon pavarsinë dhe shtetin e Kosovës, por ajo me të gjitha mjetet e lufton shtetësinë e Kosovës, ajo me nënkryetarin e saj Radoiçiq kanë qenë pjesë aktive e sulmit në Banjskë, sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, barrikadat disa vjeçare në veri të Kosovës, sulmin mbi KFOR-in, policinë e Kosovës dhe gazetarët në Zveçan, ata i kanë formuar dhe kontrolluar strukturat kriminale serbe në Veri të Kosovës dhe shumë veprime tjera kriminale kundër interesave vitale të Kosovës. E gjithë ajo çka lidhet me Listën serbe, është rezultat dhe kontribut personal i Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinaj, të cilët bashkëpunuan dhe bashkëvepruan me biznise të përbashkëta, i pasuruan dhe fuqizuan përmes tenderëve dhjetra millionëshe Radojçiqin dhe Veselinoviqin.

Ajo çka është edhe më e keqja, është fakti se Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen në mënyrë obligative dhe bëhen si normë kushtetuese, edhe kur ato janë në kundërshtim me vet Kushtetutën. Kështu ndodh me këtë gjykatë, ku gjyqtarët janë vendosur nga Pronto mafija, për t’ua mbrojtur interesat e tyre kriminale. Me këto veprime, Gjykata Kushtetuese po i ngelë « besnike » përvojës së saj destruktive, sepse edhe në të kaluarë ka patur vendime të diskutueshme, sikurse, zgjedhja e Fatmir Sejdiut dhe Pacollit për president, rasti i Dekretit i Hashim Thaçit, në veçanti Aktgjykimi i Manastitit të Deçanit, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e legalizoi dhe legjitimoi vendimin e Qeverisë së Serbisë që ishte marrë në kohën e Millosheviqit kur institucionet e Kosovës ishin  suspenduar, e me të cilin iu falën 24 ha tokë këtij manastiri,( në bindjen time, kjo nuk do të kishte ndodhur pa ndërhyrjen e politikës, për çka kam shkruar në detaje)”, deklaroi Musliu.

Ndër të tjera, ai shtoi se, pas këtij gabimi të rëndë, LVV duhet t’i kontestojë në Gjykatën Kushtetuese dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese me këtë Aktgjykim ka bërë gabim dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës, sepse Rregulloren e Punës së Kuvendit e vendos mbi Kushtetutën, kurse dihet mirëfilli se Kushtetuta është akti më i lartë juridik, nga e cila burojnë të gjitha ligjet, aktet nënligjore, marrëveshjet ndërkombëtare, dhe jo vetëm. Nuk është normale që kjo rregullore të prevalojë mbi Kushtetutën, e mbi të gjitha kur kjo rregullore është edhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Prandaj, për t’a zgjidhur këtë situatë të krijuar, që mund të shkaktojë sërish probleme, personalisht, kisha propozuar që LVV-ja, pa humbur kohë, t’i kontestojë në Gjykatën Kushtetuese dispozitat e Rregullores së Punës së Kuvendit, të cilat e rregullojnë zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb,si dispozita antikushtetuese”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

Të Ngjashme