1
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga mëngjesi i ditës së nesërme, bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pritet që të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Lidhur me këtë paralajmërim drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica njoftoi se nga sot ekipet e komunës ndodhen në terren.
“Ne sot kemi filluar, ekipet janë në terren duke i kontrolluar ndërtesat që kanë potencial të bien fasadat apo pjesë të kulmeve. Kemi intervenuar sot në mëngjes në Dardani dhe jemi duke shikuar të intervenojmë në disa pjesë të qytetit”, deklaroi ai.
Fushtica mes tjerash potencoi se qytetarët duhet t’i marrin pa panik paralajmërimet si ky.
“Duke mos shkaktuar panik, pra qytetarët duhet që ta marrin si pjesë normale, paralajmërimet që i jep drejtoria”, shtoi ai.
