Një studim i ri mbi 100 mijë të rinj në mbarë botën zbulon diçka alarmante për prindërit: sa më i vogël të jetë fëmija kur merr në dorë celularin e parë, aq më shumë pasoja ka në shëndetin e tij mendor në rininë e hershme.
Studimi i publikuar në Journal of Human Development and Capabilities u zhvillua duke matur funksionin emocional, social dhe konjitiv. Pikët vlerësuese ranë nga 30 për 13-vjeçarët në 1 për 5-vjeçarët.
“Për më tepër, magnituda është befasuese: nëse trendet e tanishme për marrjen e celularit në moshë më të hershme dhe aksesimin e rrjeteve sociale vijojnë, projeksionet e të dhënave tregojnë se vetëm kaq mund të jetë përgjegjëse për problemet e shëndetit mendor si mendimet rreth vetëvrasjes, shkëputja nga realiteti dhe funksione të zbehura në kontrollin emocional në thuajse një të tretën e brezit të ri”, thuhet në studim.
The Global Mind Project nga neuroshkencëtarja Tara Thiagarajan, është një nga ekzaminimet më të mëdha sesi ekspozimi ndaj teknologjisë në moshë të hershme ndikon në shëndet kur rritesh. Në vend të metodës klasike që kërkon dekada të tëra, ekipi pyeti të rinjtë për moshën kur morën për herë të parë një celular dhe e krahasuan me gjendjen e shëndetit të tyre mendor.
Të dhënat erdhën nga thuajse 2 milionë pjesëmarrës në 163 shtete, ndërsa thelbi ishin 100 mijë individë të moshave 18-24 vjeç ose Gjenerata Z, grupi i parë që është rritur me celularë dhe rrjete sociale në moshë të hershme.
Pjesëmarrësit bënë një vlerësim të zgjeruar online duke përfshirë 47 aspekte të ndryshme të funksionimit mendor, nga rregullimi i emocioneve, aftësitë sociale e deri te ato konjitive.
Ata që kishin marrë celular para moshës 13-vjeçare, shfaqnin nivele më të larta agresiviteti, ndjesi shkëputjeje nga realiteti dhe halucinacione. Veç kësaj, hasnin më shumë vështirësi me pamjen e tyre, vlerësimin për veten, kontrollin emocional dhe forcën e brendshme, sidomos te vajzat. Djemtë shfaqin vështirësi me qëndrueshmërinë, qetësinë dhe empatinë.
Në krahasimin sipas grupmoshave, të atyre që kishin marrë celular për herë të parë në moshën 5-6 vjeçare me ata për të cilët kjo kishte ndodhur në moshën 13-18 vjeç, mendimet për vetëvrasjen ishin më të shumta te vajzat dhe po ashtu, edhe halucinacionet.
Vendet anglishtfolëse rezultonin më të prekurat. Fëmijët në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi, marrin një celular dhe akses në rrjete sociale në moshë më të hershme sesa në Afrikë, Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme.
Vetë natyra e gjuhës angleze i bëri studiuesit të veçonin “sasi më të madhe përmbajtjeje të dëmshme, hiper-seksuale dhe shfrytëzuese krahasuar me gjuhët dhe rajonet e tjera.”
Celularët janë si shtigje për platformat e rrjeteve sociale që funksionojnë falë algoritmeve me Inteligjencë Artificiale, të krijuara për të rritur përfshirjen e përdoruesit. Mosha e aksesit në rrjete sociale shpjegon 40% të lidhjes mes saj dhe ndikimeve negative në shëndetin mendor.
