Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar për rikthimin e ambicieve perandorake dhe rrezikun e një bote pa rregulla, gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Ai theksoi se tarifat e reja tregtare janë të papranueshme, sidomos kur përdoren si instrument presioni ndaj sovranitetit territorial të shteteve.
Sipas Macron, bota po hyn në një fazë të thellë paqëndrueshmërie dhe çekuilibri, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë ekonomik. Ai foli për ekzistencën e dhjetëra konflikteve të hapura në mbarë globin dhe për një tranzicion drejt një rendi ndërkombëtar ku po cenohet e drejta ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, presidenti francez shpjegoi edhe vendimin për dislokimin e forcave franceze në Groenlandë, duke theksuar se Franca dhe Evropa i kushtojnë rëndësi të veçantë sovranitetit, pavarësisë dhe respektimit të rregullave ndërkombëtare.
Macron u ndal gjithashtu te sfidat ekonomike me të cilat po përballen vendet evropiane, duke theksuar se Evropa ka mbetur e vetme në përpjekjet për të mbrojtur bizneset e saj përballë presioneve dhe praktikave të padrejta.
Ai theksoi se mjeti kundër shtrëngimit ekonomik është i fuqishëm dhe se Bashkimi Evropian nuk duhet të hezitojë ta përdorë atë në një realitet ku rregullat globale shpesh nuk respektohen dhe mungon një fushë loje e barabartë.
Në përfundim, Macron bëri thirrje për refuzimin e “ligjit të më të fortit”, duke paralajmëruar se pranimi pasiv i këtij modeli çon në vasalizim, politika gjaku dhe rikthim të logjikës koloniale, e cila, sipas tij, nuk ka vend në botën moderne.
/tiranapost
