Deklarata e kongresistit amerikan Keith Self, i cili paralajmëroi se “NATO është në vijën e zjarrit në Ballkan”, ka rikthyer debatin për rrezikun e destabilizimit në rajon.
Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, i cili sqaron pse paralajmërimet e tilla nuk duhet parë si alarmizëm, por si reflektim i gjendjes reale gjeopolitike.
Voca thotë se deklarata e kongresistit Keith Self nuk është e rastësishme dhe as e izoluar, pasi reflekton një shqetësim të kahershëm të partnerëve perëndimorë se paqja në Ballkan mbetet e brishtë dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme.

Mirsad Voca
Sipas Vocës, SHBA-të dhe NATO-ja e shohin Ballkanin si zonë strategjike, jo thjesht si hapësirë gjeografike, sepse çdo tension lokal mund të marrë dimensione më të gjera dhe të ndikojë në sigurinë euro-atlantike.
“Deklarata e kongresistit Keith Self, ku Ballkani përmendet si një rajon ku ‘NATO gjendet në vijën e zjarrit’, nuk vjen e izoluar sepse ajo pasqyron një shqetësim të vazhdueshëm të partnerëve perëndimorë se paqja në rajon mbetet e brishtë dhe kërkon vëmendje të përhershme. Për SHBA-në dhe NATO-n, Ballkani nuk është thjesht një hapësirë gjeografike. Ky rajon mbetet një zonë strategjike ku çdo tension lokal mund të marrë shpejt dimensione më të gjera. Në këtë kuptim, paralajmërimet për rrezikun e një konflikti të ri nuk janë të reja. Ato pasqyrojnë realitetin që stabiliteti rajonal shpesh varet nga faktorë që nuk janë plotësisht të konsoliduar si: demokracia funksionale, sundimi i ligjit dhe orientimi i qartë gjeopolitik i shteteve të rajonit. Derisa këto shtylla të jenë të forta, shqetësimet ndërkombëtare do të vazhdojnë”, thotë Voca.
Sipas tij, kur diskutohet rreziku i destabilizimit, debati gjithmonë kthehet te Serbia, si aktori i vetëm në rajon që nuk është distancuar nga ambiciet e së kaluarës dhe që ruan lidhje të thella politike, ushtarake e mediale me Rusinë.
“Por të flasim hapur lidhur me këtë çështje. Kur diskutohet rreziku i destabilizimit, gjithmonë rikthehet e njëjta pikë, ajo që Serbia mbetet aktori i vetëm në rajon që nuk ka bërë një distancim të plotë nga ambiciet ekspansioniste të së kaluarës dhe që ruan lidhje të thella politike, ushtarake e mediale me Federatën ruse. Kjo krijon terren për tensione dhe përhap pasiguri tek fqinjët. Prandaj, nëse duam të flasim me terma të saktë, po, Ballkani mund të jetë ende një ‘zonë e nxehtë’, dhe kjo nuk është një karakteristikë natyrore e rajonit por pasojë e mungesës së reformave të thella në Serbi dhe orientimit të paqartë të saj gjeopolitik”, shprehet Voca.
Sipas tij, zhbalancimi i këtij rreziku kërkon një gjë të vetme.
“Zhbalancimi i këtij ‘rreziku të përhershëm’ kërkon vetëm një gjë, atë se Serbia duhet të reformohet politikisht dhe të orientohet qartë drejt Perëndimit, pa dykuptimësi, pa lojë të dyfishtë dhe pa ambicie ndaj territorit të fqinjëve. Vetëm në atë moment rajoni do të mund të konsiderohet politikisht i qetë dhe strategjikisht i kthyer drejt stabilitetit. Deri atëherë, deklarata si ajo e kongresistit Self nuk janë alarmizëm por një pasqyrë e realitetit në terren”, përfundon Mirsad Voca për “Bota sot”.


