Lajme

Parashikimi i motit/ Alternime kthjellimesh dhe vranësirash, temperaturat pësojnë rritje

Orët e paradites do të paraqiten nën ndikimin e alternimeve të kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta në të gjithë territorin shqiptar, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat Verilindore – Juglindore duke gjeneruar momente me pika shiu. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të përmirësojnë dukshëm situatën e motit në të gjithë territorin e vendit duke rikthyer kthjellimet.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje gjatë mëngjesit por rriten ndjeshëm edhe maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 5 °C vlera më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 23°C vlera më e lartë e cila pritet përgjatë vijës bregdetare. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 30 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke bërë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim të ulët.

Kosova

TS Poll - Loading poll ...

Republika e Kosovës do të mbizotërohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike si pasojë e masave ajrore me origjinë Perëndimore – Veriperëndimore. Për pasojë, pjesa e parë e ditës do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të lehta në të gjithë territorin e Kosovës ndërsa pas mesdite parashikohet të ketë vranësira disi më të dendura ku më të theksuara do të jenë në zonat kufitare me Shqipërinë, por nuk priten reshje. Ndërkohë, temperaturat e ajrit do të vijojë të rriten si në vlerat minimale, edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 4°C minimalja deri në 17°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale 30 km/h nga drejtimi Verior – Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Kushtet e qëndrueshme atmosferike do të mbizotërojnë në të gjithë republikën e MV duke sjellë kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat veriperëndimore dhe skajin Jugperëndimor, megjithatë nuk do të këtë reshje. Parashikohet që kjo situatë e qëndrueshme e motit të na shoqërojë deri vonë në mbrëmje kur pritet largim total i vranësirave në pjesën më të madhe të territorit të MV. Temperaturat e ajrit do të vijojnë të rriten në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C minimalja deri në 19°C vlera maksimale në rang vendi. Për sa i përket erës do të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 30 km/h nga drejtimi kryesisht Verior.

Europa

Europa Jugperëndimore si edhe Europa qendrore do të paraqiten nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm me vranësira dhe reshje të dendura shiu, ku herë pas here shirat do të jenë në formë shtrëngate, shoqëruar me stuhi të forta ere. Po ashtu; Gadishulli Skandinav do të mbetet nën ndikimin e vranësirave të shumta të cilat herë pas here do të sjellin reshje shiu e dëbore ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit do të jetë nën dominimin e masave ajrore të ngrohta me origjinë Perëndimore duke sjellë; mot kryesisht të kthjellët dhe relativisht të ngrohtë.