Lajme

Parashikimi i motit/ Kthjellime dhe vranësira, shi në disa zona

Alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të karakterizojnë kushtet e motit në territorin shqiptar deri pas mesdite, kur priten shtim i vranësirave duke gjeneruar rrebeshe afat-shkurtra shiu në veri dhe zonat qendrore. Në verilindje të vendit priten stuhi afat-shkurta breshëri. Parashikohet që të njëjtat kushte të paqëndrueshme atmosferike të na shoqërojnë në mbrëmje edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 2 gradë si në orët e mëngjesit edhe në të mesditës duke bërë që vlerat ditore të luhaten nga 8°C deri në 28 °C vlera maksimale në rang vendi.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi Veriperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të krijohen dallgë 2 ballë.

Kosova

Territori i Kosovës përgjatë 24 orëshit do të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta, të cilat hera herës do të zhvillohen duke gjeneruar rrebeshe shiu. Më të theksuara reshjet paraqiten në zonat kufitare me Shqipërinë. Parashikohet që edhe pasditja të vijojë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominante. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë rënie në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 8°C deri në 23°C. Era do të fryjë mesatare paradite por deri e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi verior dhe veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Përgjatë ditës së mërkurë, republika e MV do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme duke sjellë vranësira dhe shira, ku më të theksuara shirat do të jenë në zonat perëndimore dhe jugperëndimore. Parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes të sjellin shpeshtim të vranësirave dhe rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të MV. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie gjatë orëve të mëngjesit por ulen ndjeshëm edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C deri në 24°C. Ndërkohë parametri i erës do të paraqitet mesatare dhe herë pas here e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi permanent verior.

Europa

Rajoni i Balltikut si edhe Europa Lindore do të përfshihen nga tjetër sistem i dendur vranësirash, të cilat do të sjellin reshje të dendura shiu dhe erëra të fuqishme. Gjithashtu me mot të paqëndrueshëm do të dominohet gadishulli Apenin si edhe gadishulli i Ballkanit, ku priten vranësira konvektive të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu si edhe stuhi breshëri ndërsa nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku kthjellimet dhe temperaturat e larta do të jenë prezente paraqiten përkatësisht Europa Jugperëndimore, pjesërisht qendra e kontinentit si edhe brigjet e Detit të Zi./abcnews.al