Një bast i vendosur pak orë përpara njoftimit zyrtar për arrestimin e Nicolás Maduros ka ndezur debat të fortë në SHBA dhe jo vetëm. Në platformën e basteve Polymarket, e bazuar në kriptovaluta, shanset që presidenti i Venezuelës të largohej nga pushteti deri në fund të janarit nisën të rriteshin ndjeshëm, vetëm pak kohë para se presidenti amerikan Donald Trump të deklaronte publikisht se Maduro ishte arrestuar dhe ndodhej në paraburgim në SHBA.
Fituesi i madh rezulton të jetë një llogari anonime, e regjistruar në Polymarket vetëm një muaj më parë, e cila kishte hapur katër pozicione bastesh, të gjitha të lidhura me zhvillimet në Venezuelë. Me një investim prej rreth 32,500 dollarësh, kjo llogari arriti të arkëtojë mbi 436 mijë dollarë fitim, duke ngritur dyshime serioze për përdorimin e informacionit të brendshëm.
Sipas të dhënave të platformës, pasditen e së premtes, më 2 janar, gjasat për largimin e Maduros vlerësoheshin vetëm 6.5%. Brenda pak orësh ato u rritën në 11% dhe vijuan të ngjiteshin gjatë orëve të para të 3 janarit, një ndryshim i papritur që përkoi me momentin kur Trump publikoi në Truth Social lajmin për arrestimin e udhëheqësit venezuelian.
Dennis Kelleher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Better Markets”, tha se ky rast “mban të gjitha shenjat e një tregtie të bazuar në informacion të brendshëm”.
Edhe përdorues të tjerë të platformës kanë përfituar dhjetëra mijëra dollarë nga bastet për arrestimin e Maduros, çka ka shtuar presionin politik. Kongresmeni demokrat Ritchie Torres ka paraqitur një projektligj që synon ndalimin e punonjësve qeveritarë nga pjesëmarrja në tregje parashikimi, nëse zotërojnë informacion të rëndësishëm dhe jo publik.
Tregjet e parashikimeve janë bërë gjithnjë e më popullore në SHBA vitet e fundit, duke lejuar baste mbi politika, zgjedhje apo ngjarje globale. Vetëm gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, në këto platforma u hodhën qindra miliona dollarë.
Ndërsa administrata Biden i kishte vënë nën lupë këto tregje, klima duket më e favorshme gjatë presidencës Trump. Madje, Donald Trump Jr. mban role këshillimore në platforma si Kalshi dhe Polymarket.
/tiranapost


