Ylli i njohur botëror, Paris Hilton, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ku ka folur me admirim për dy artistet shqiptare me famë ndërkombëtare — Rita Orën dhe Bebe Rexhën — si dhe për dokumentarin e saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir.
Në këtë bisedë, Hilton tregon se ka një raport shumë të ngushtë dhe miqësor me dy këngëtaret dhe shpreh respekt të madh për talentin, punën dhe personalitetet e tyre:
“I dua shumë Ritën dhe Beben. Janë vajza fantastike, shumë të talentuara dhe me zemër të madhe — si brenda, ashtu edhe jashtë skenës. I dua si motra dhe jam shumë krenare për të dyjat.”
Ajo thekson se çdo herë që janë bashkë e kalon “për mrekulli” dhe shpreh entuziazëm për t’i takuar sërish në një event të ardhshëm:
“Çdo moment me to është i veçantë — qeshim, argëtohemi dhe ndiejmë një lidhje të fortë. Mezi pres t’i shoh pas disa ditësh në festën e mikut tim.”
Dokumentari i ri
Paris Hilton foli edhe për dokumentarin e saj të ri, Infinite Icon: A Visual Memoir, që sjell një rrëfim intim mbi jetën, muzikën dhe karrierën e saj. Ky projekt përbëhet nga materiale arkivore, momente personale dhe skena nga performanca të përzgjedhura, duke ofruar një pasqyrë të hapur mbi rrugëtimin që e ka ndihmuar të rimarrë kontrollin e historisë së saj.
Dokumentari pritet të publikohet në 30 janar 2026, duke shërbyer si një udhëtim reflektues dhe emocional për publikun, larg stereotipeve dhe narrativave të medias tradicionale.
