Parlamenti Evropian vendos për kufizime të përdorimit të rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç
Parlamenti Evropian ka vendosur që TikTok, YouTube, Instagram dhe platformat e tjera të rrjeteve sociale duhet të lejohen vetëm nga mosha 16 vjeç.
Një shumicë e qartë e anëtarëve të Parlamentit Evropian (MEP) votuan të mërkurën në favor të një moshe minimale në të gjithë BE-në. Sipas një deklarate të Parlamentit, 13 deri në 16-vjeçarët duhet të kenë akses vetëm me pëlqimin e prindërve, raporton ENR.
Raporti i miratuar, i cili ende nuk është detyrues, kërkon gjithashtu më shumë veprime kundër faktorëve që shkaktojnë varësi dhe strategjive manipuluese.
MEP-ët shprehën shqetësim për rreziqet ndaj shëndetit fizik dhe mendor të të miturve në internet, dhe vendosën që rregullat të zbatohen gjithashtu për platformat e videove dhe shoqëruesit e Inteligjencës Artificiale (AI).
Në mesin e tetorit, udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së po ashtu u shprehën në favor të kufizimeve të moshës për platforma si TikTok, Facebook dhe të tjera – por nuk dëshiruan t’ia transferonin përgjegjësitë e tyre kombëtare Brukselit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte risjellë debatin në qendër të vëmendjes me thirrjen e saj për një kufi moshe në rrjetet sociale. Një grup ekspertësh pritet të këshillojë mbi hapat më të mirë për Evropën deri në fund të vitit.
Von der Leyen përmendi Australinë si një model të mundshëm. Vendit së fundmi i kishte zgjatur ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
BE-ja tashmë po punon për kërkesat teknike të kufizimeve të moshës. Komisioni Evropian është duke zhvilluar një aplikacion verifikimi për mbrojtjen e të miturve. Qëllimi është krijimi i sistemeve të besueshme të verifikimit të moshës për përmbajtje që nuk është e përshtatshme për fëmijë dhe të rinj.


