Çështja e sigurisë së Kosovës dhe ndikimi i politikave të Serbisë në stabilitetin e rajonit vazhdojnë të mbeten ndër temat më të ndjeshme në arenën ndërkombëtare.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Glauk Konjufca ka ngritur shqetësime lidhur me qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, përgjegjësinë për veprimet që cenojnë sigurinë dhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare në ruajtjen e paqes. Ai ka kritikuar edhe raportin e UNMIK-ut, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si paraqiten zhvillimet në Kosovë dhe sfidat me të cilat përballet vendi.
Deklaratat e Konjufcës vijnë në një kohë kur raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të karakterizohen nga mosbesimi dhe tensionet politike, ndërsa shteti ynë kërkon që shqetësimet e saj të sigurisë të trajtohen me më shumë seriozitet nga partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr qëndrimi i aleatëve perëndimorë dhe gatishmëria e tyre për të reaguar ndaj zhvillimeve që mund të rrezikojnë stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.
A po e vlerëson bashkësia ndërkombëtare me seriozitet kërcënimin që paraqet Serbia për sigurinë e Kosovës? A po mungon një reagim më i vendosur ndaj politikave të Beogradit?
Fehlinger: Serbia duhet të përballet me pasoja për Banjskën, UNMIK-u duhet të përfundojë misionin
Lidhur me këtë çështje, eksperti austriak Gunther Fehlinger, në një prononcim për “Bota sot”, ka përkrahur ndërhyrjen e Konjufcës në Këshillin e Sigurimit, duke vlerësuar se bashkësia ndërkombëtare ende nuk po e merr mjaftueshëm seriozisht kërcënimin e sigurisë që, sipas tij, paraqet Serbia e Aleksandar Vuçiqit.

Gunther Fehlinger
Ai ka kërkuar përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, rishikim të misionit të UNMIK-ut dhe hapa konkretë drejt integrimit euroatlantik të Kosovës.
“E mirëpres ndërhyrjen e fuqishme të Glauk Konjufcës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Komuniteti ndërkombëtar ende nuk po e merr mjaftueshëm seriozisht kërcënimin e sigurisë që paraqet Serbia e Aleksandar Vuçiqit. Sulmi terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, dëshmoi se destabilizimi i armatosur përbën një rrezik real. Reagimi ndërkombëtar ka qenë shumë i dobët. Milan Radoiçiqi dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për organizimin, financimin ose mbështetjen e sulmit duhet të përballen me drejtësinë”, deklaron Fehlinger.
Duke komentuar rolin e UNMIK-ut, eksperti austriak vlerëson se prania e këtij misioni duhet të rishikohet në përputhje me realitetin aktual politik dhe institucional të Kosovës. Sipas tij, Kosova është një shtet i pavarur me institucione demokratike dhe nuk duhet të mbetet pafundësisht nën një kornizë ndërkombëtare të krijuar në vitin 1999.
“Unë mbështes një rivlerësim thelbësor të misionit të UNMIK-ut. Kosova është një republikë e pavarur evropiane me institucione demokratike. Ajo nuk duhet të mbetet pafundësisht e bllokuar në një kornizë ndërkombëtare të vendosur në vitin 1999. UNMIK-u duhet të përfundojë gradualisht dhe në mënyrë të përgjegjshme misionin e tij, ndërsa KFOR-i i NATO-s duhet të ruajë garanci të forta të sigurisë”, shprehet ai.
Fehlinger thekson se forcimi i sigurisë së Kosovës duhet të shoqërohet me një strategji të qartë ndërkombëtare, duke propozuar anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian deri në vitin 2029. Sipas tij, integrimi euroatlantik do të ishte një hap vendimtar për sigurinë afatgjatë të Kosovës dhe për stabilitetin e rajonit.
“Propozoj pesë masa vendimtare: Kosova në NATO deri në vitin 2029, me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare; Kosova në BE deri në vitin 2029, përmes përshpejtimit të integrimit dhe përfundimit të izolimit të saj politik; përgjegjësi për Serbinë, përmes bashkëpunimit të plotë në hetimet për sulmin në Banjskë dhe vendosjes së sanksioneve të synuara evropiane nëse vërtetohet përgjegjësia për destabilizim; fuqizim të kapaciteteve parandaluese të NATO-s; si dhe njohje të Kosovës nga Serbia”, deklaron Fehlinger.
Ai vlerëson se KFOR-i duhet të ketë kapacitetet e nevojshme për të parandaluar ndërhyrjet e armatosura dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
“Vuçiqi duhet ta braktisë politikën e konfrontimit. E ardhmja evropiane e Serbisë varet nga njohja e Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve paqësore ndërmjet dy shteteve sovrane. Kosova duhet gjithashtu të garantojë të drejtat e plota demokratike, kulturore dhe fetare të pakicës së saj serbe”, thekson eksperti austriak.
Më tej, Fehlinger paralajmëron se tolerimi i një situate të vazhdueshme pasigurie në Ballkanin Perëndimor do të ishte një gabim strategjik për Evropën. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të kalojë nga menaxhimi i vazhdueshëm i krizave drejt zgjidhjeve konkrete që garantojnë paqe dhe siguri afatgjatë.
“Gabimi më i madh strategjik që mund të bëjë Evropa do të ishte pranimi i paqëndrueshmërisë së përhershme si një normalitet. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Siguria e saj duhet të jetë e përhershme. E ardhmja e saj është në NATO, në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë. Evropa duhet të ndalojë së menaxhuari pafundësisht çështjen e Kosovës dhe më në fund ta zgjidhë atë përmes integrimit të plotë euroatlantik”, përfundon Fehlinger për “Bota sot”.
Dashevci: Serbia vazhdon luftën hibride ndaj Kosovës, UNMIK-u mision i tejkaluar
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se Serbia nuk ka hequr dorë nga politikat e saj destruktive ndaj Kosovës, duke vazhduar përpjekjet për destabilizimin e vendit përmes luftës hibride, propagandës, dezinformatave dhe sabotazheve.

Arben Dashevci
Sipas tij, pavarësisht faktit se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, tensionet me Serbinë kanë vazhduar që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kurse në raport me politikat e Serbisë, tensionet e vazhdueshme mes dy vendeve janë dhe vazhdojnë që nga viti 1999. Serbia kurrë nuk është ndalur me qasjen e saj destruktive kundrejt Kosovës, me luftë speciale të konvertuar që nga viti 2020 në luftë të egër hibride, me dezinformata, propaganda dhe sabotazhe”, ka deklaruar Dashevci për “Bota sot”.
Duke komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Dashevci mbështet kritikat ndaj raportit të UNMIK-ut, duke vlerësuar se ky mision tashmë e ka humbur rolin e tij në Kosovë.
“Ministri i Jashtëm Konjufca ka kritikuar raportin e UNMIK-ut dhe ka ngritur çështjen e përgjegjësisë së Serbisë për veprimet që, sipas Kosovës, cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit. UNMIK-u nuk ka asnjë kompetencë më në Republikën e Kosovës, sepse që nga 17 shkurti 2008 veprojmë si shtet”, është shprehur ai.
Eksperti i sigurisë konsideron se misioni i UNMIK-ut duhet të përfundojë, ndërsa shpreh shqetësimin se vazhdimi i tij në bazë të Rezolutës 1244 u mundëson shteteve si Rusia dhe Serbia ta trajtojnë vazhdimisht çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit.
“Dhe ashtu siç e tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, duhet thjesht të mbyllet ky mision pa asnjë kompetencë, por ky mision i tejkaluar ende vepron me Rezolutën 1244 dhe në ato sesione që mbahen çdo 6 muaj kanë qasje edhe Rusia, Serbia, Kina, Irani etj.”, ka theksuar Dashevci.
Në këtë kontekst, ai ngre pikëpyetje për efektivitetin e qasjes ndërkombëtare ndaj kërcënimeve të sigurisë në Ballkan, duke veçuar ndikimin e Rusisë dhe rolin e Serbisë në rajon.
“Dhe në këtë kontekst, mbetet ende e hapur çështja se sa efektive është qasja ndërkombëtare përballë rreziqeve të sigurisë në rajon, veçanërisht në Ballkan. Gjithmonë mendoj në qasjen destruktive të Rusisë dhe patericën e saj, Serbinë, në Ballkan”, ka deklaruar ai.
Dashevci kërkon që bashkësia ndërkombëtare ta trajtojë me seriozitet më të madh kërcënimin që, sipas tij, Serbia paraqet për sigurinë e Kosovës, duke rikujtuar sulmin terrorist në Banjskë dhe sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta vlerësojë me shumë më seriozitet se deri tash kërcënimin që paraqet Serbia për sigurinë e Kosovës. Neve na ka ndodhur Banjska në vitin 2023 dhe sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit në vitin 2024. Aktorët e Banjskës sillen ende të lirë në Serbi”, ka theksuar ai.
Sipas tij, mungesa e një reagimi më të fuqishëm ndërkombëtar ndaj politikave të Beogradit mbetet shqetësuese, ndërsa institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë në koordinimin me aleatët strategjikë.
“Pra, unë mendoj që po mungon një reagim më i vendosur ndaj politikave të Beogradit. Politika dhe diplomacia jonë duhet të jenë shumë aktive në raport me partnerët strategjikë që të ndërmerren masa kundrejt Serbisë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Kosovës”, përmbylli Arben Dashevci për “Bota sot”.
