Shëndetësi

Pas dekadash paniku, shkenca e rrëzon mitin e demencës

Një studim i ri i madh tregon se terapia hormonale e menopauzës nuk duket se rrit rrezikun e demencës. Rishikimi është kryer nga studiues të University College London, me mbështetjen e Universitetit të Exeter-it, dhe është porositur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Rezultatet janë publikuar në revistën The Lancet Healthy Longevity.

Studimi nuk gjeti prova që terapia hormonale zëvendësuese (HRT) të rrisë apo të ulë rrezikun e demencës te gratë pas menopauzës. Kjo temë ka qenë për vite me radhë shumë e debatueshme, pasi disa studime të mëparshme kishin sugjeruar një lidhje të mundshme me rritjen e rasteve të demencës. Megjithatë, ky rishikim i ri mbështet udhëzimet aktuale mjekësore: HRT duhet përdorur bazuar në përfitimet dhe rreziqet e përgjithshme, dhe jo për parandalimin e demencës.

Studimi vjen pas njoftimit të fundit të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), e cila vendosi të heqë paralajmërimet “black box” nga produktet e terapisë hormonale, pasi këto paralajmërime për rreziqe afatgjata, përfshirë demencën, rezultuan të pabazuara.

Profesori Chris Fox nga Universiteti i Exeter-it tha se shumë gra shqetësohen për lidhjen mes terapisë hormonale dhe demencës, por ky rishikim tregon qartë se nuk ka prova që HRT të ndikojë në rritjen apo uljen e këtij rreziku. Sipas tij, ulja e rrezikut të demencës nuk duhet të jetë arsye për të vendosur nëse do të merret apo jo terapia hormonale.

Ky është rishikimi më i plotë deri më sot mbi këtë temë dhe përfshin të dhëna nga mbi 1 milion pjesëmarrës. Studiuesit nuk gjetën lidhje domethënëse mes HRT-së dhe demencës, as edhe pas analizave sipas kohëzgjatjes, llojit apo kohës së fillimit të terapisë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten ende studime afatgjata me cilësi të lartë për të kuptuar plotësisht efektet afatgjata të terapisë hormonale. / Talker News – Syri.net

Të Ngjashme