Lajme

Pas dhjetë ditë kërkimi, FSK gjen trupin e pajetë të 30-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat

Në kuadër të një misioni të kërkim-shpëtimit të koordinuar, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ndihmuar autoritetet shqiptare për të lokalizuar dhe gjetur trupin e pajetë të një të riu që ishte zhdukur në lumin Mat, pas një periudhe dhjetëditore kërkimi.

Pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë, ekipet e FSK-së, përmes Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare, arritën të përmbushin misionin e tyre me sukses.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, shprehu ngushëllimet e tij të thella për familjen e viktimës dhe falënderoi personelin e angazhuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij misioni të rëndësishëm.

FSK mbetet e angazhuar në misionet humanitare dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, duke kontribuar gjithmonë për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve./teve1.info/

Të Ngjashme