BBV

Pas dy ditësh kërkime, gjendet i gjallë 30-vjeçari i zhdukur nga Shqipëria

30-vjeçari S.P., nga Shqipëria, i raportuar i zhdukur që nga 21 janari është gjetur sot.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se 30-vjeçari dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit të 21 janarit, rreth orës 05:00, ishte përfshirë në një aksident trafiku me veturën e tij të tipit “BMW” në fshatin Jezerc.

Pas këtij rasti, për dy ditë me radhë nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Autoritetet bëjnë të ditur se, në koordinim me Forenzikën Rajonale, janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth, si dhe janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, QKUK në Prishtinë dhe në disa ordinanca private.

Megjithatë, nuk ishte raportuar asnjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren, me përfshirjen e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësisë K-9 të Policisë së Kosovës dhe Brigadës së Zjarrfikësve.

Ndërkohë, sot rreth orës 15:30, një qytetar ka njoftuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të njohur si “Gurra e Kadisë”. Pas verifikimeve nga autoritetet, është konfirmuar se bëhej fjalë për S.P., i cili ishte në kërkim.

Personi është transportuar menjëherë në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderon Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë të rajonit të Ferizajt dhe qytetarët të angazhuar në këtë rast dhe në veçanti qytetarin B.Osmani., 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në gjetjen e personit të zhdukur”, thuhet në njoftim. /teve1.info/

Të Ngjashme