Plakja nuk është një proces linear, i ngadaltë dhe i qëndrueshëm. Vitet që kalojnë nuk janë të gjitha njësoj dhe në jetën e një njeriu ekziston një moment që përbën një pikë ndarëse vendimtare. Sipas disa kërkimeve të ndryshme, rreth moshës 50 vjeç gjithçka ndryshon: procesi i plakjes përshpejtohet në mënyrë të pashmangshme dhe përkeqësimi i organeve dhe indeve bëhet një proces që nuk mund të ndalet.
Një studim i fundit i realizuar nga Akademia Kineze e Shkencave në Pekin dhe i publikuar në revistën shkencore Cell, ka konfirmuar atë që ishte vënë re edhe nga kërkime të tjera në vitet e fundit: midis moshës 45 dhe 55 vjeç fillon një fazë natyrore, e pakthyeshme, e rënies së funksionit të organeve dhe indeve.
Vitin e kaluar, Departamenti i Gjenetikës i Universitetit Stanford në Kaliforni kishte arritur në përfundime të ngjashme, duke identifikuar dy periudha kritike në të cilat ndodhin ndryshimet më të mëdha: 44 dhe 60 vjeç.
Në të kaluarën, ishin identifikuar tri kulme plakjeje në moshat 34, 60 dhe 78 vjeç, të lidhura me ndryshime të rëndësishme në lëkurë, muskuj dhe funksionin e veshkave. Ndryshojnë metodat e studimit, por jo rezultatet: plakja nuk ndodh në mënyrë të vazhdueshme dhe uniforme, por godet organet në mënyra të ndryshme.
Studimi i kryer në Kinë dhe i publikuar në Cell ka identifikuar moshën 50 vjeç si fazën e jetës në të cilën ndodh përkeqësimi më i shpejtë i disa organeve. Konkretisht, sipas kërkimit, disa organe degradohen më shpejt se të tjerët. Për realizimin e studimit, studiuesit analizuan mostra indi nga 76 persona të moshës nga 14 deri në 68 vjeç, të cilët kishin ndërruar jetë për shkak të dëmtimeve aksidentale në tru, duke ekzaminuar 8 sisteme të ndryshme trupore, nga ai imunitar e deri te sistemi tretës dhe vaskular.
Ky studim zbuloi gjithashtu se që në moshën 30 vjeç mund të vërehen ndryshimet e para në gjëndrat mbiveshkore, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e hormoneve si kortizoli. Duke përdorur teknologji të avancuar, studiuesit analizuan 48 proteina të lidhura me sëmundje të ndryshme.

Midis moshës 45 dhe 55 vjeç, ndryshimi më i madh prek aortën, pasi është vërejtur se enët e gjakut plaken më shpejt se indet e tjera. Studiuesit hartuan një katalog të proteinave të pranishme në sistemet e ndryshme trupore në varësi të moshës, duke identifikuar një proteinë specifike, e cila, kur injektohej te minjtë, shkaktonte plakje të parakohshme, pasi përhapej në të gjithë trupin përmes enëve të gjakut.
Studimi e krahason trupin e njeriut me një automjet, ku jo të gjitha pjesët konsumohen njëkohësisht, por disa degradohen më shpejt se të tjerat.
Të kuptuarit se plakja nuk ndodh në mënyrë lineare, por në “kapërcime”, dhe se disa sisteme si sistemi kardiovaskular fillojnë të përkeqësohen më herët, është thelbësore për të përcaktuar se si të ndërhyhet më mirë në kujdesin ndaj pacientëve. Mund të merret parasysh kryerja e kontrolleve të përqendruara në zemër dhe enët e gjakut rreth moshës 50 vjeç, si dhe të zhvillohen strategji për të nxitur një plakje të shëndetshme, duke ngadalësuar konsumimin e pjesëve më të ndjeshme të trupit.
Sfida tani është të kuptohet se cilat janë proceset që nxisin kalimet midis fazave të ndryshme të plakjes së indeve, dhe nëse ekziston një mënyrë për të ndërhyrë dhe për t’i ngadalësuar ato. Pa dyshim, kontrolli shëndetësor i rregullt, një stil jetese i shëndetshëm, një dietë e ekuilibruar dhe aktiviteti fizik janë të gjitha mjete të vlefshme për të arritur një plakje të qëndrueshme dhe të shëndetshme.
