Pas rreth një muaji ndalim, qytetarët e Gostivarit kanë nisur ta përdorin sërish ujin nga ujësjellësi i qytetit për pije.
Analizat e fundit laboratorike kanë konfirmuar se uji është i sigurt për konsum, ndërsa vendimi për rikthimin e tij është marrë nga Shtabi Qendror i Krizave.
Për rreth 30 ditë, përdorimi i ujit për pije ishte ndaluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas ndotjes së sistemit të ujësjellësit.
Drejtori i AUV-së, Oliver Millanov, tha se rezultatet e fundit laboratorike kanë konfirmuar se uji i plotëson standardet për konsum.
“Rezultatet e fundit të testeve laboratorike konfirmojnë se uji është në rregull nga aspekti mikrobiologjik dhe fiziko-kimik. Parametrat e testuar, përfshirë praninë e klorit, janë brenda kufijve të përcaktuar me Rregulloren për cilësinë e ujit të pijshëm. Kjo përmbush kushtet që uji nga sistemi i furnizimit me ujë në Gostivar të përdoret sërish për pije”, tha Millanov.
Nga Qendra për Shëndet Publik bëjnë të ditur se të gjitha analizat e nevojshme janë kryer dhe rezultatet i janë dorëzuar Prokurorisë Publike, e cila po heton rastin.
Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Shaqir Zulbehari, tha se për rezultatet e analizave dhe çështjen e ndotjes do të prononcohet edhe Prokuroria Publike.
“Për të gjitha analizat e ujit do të prononcohet edhe Prokuroria Publike lidhur me çështjen. Ndërkohë, marrëveshjen që kemi pasur me ndërmarrjen e kemi realizuar dhe të gjitha analizat e nevojshme janë kryer”, deklaroi Zulbehari.
Uji në Gostivar ishte ndaluar për pije që nga 17 korriku, pasi institucionet konstatuan se pompat kishin futur ujë të ndotur me fekale në sistemin e ujësjellësit të qytetit.
Si pasojë e ndotjes, mbi 5 mijë qytetarë u infektuan, ndërsa më 19 korrik institucionet shpallën epidemi. Ndërkohë, hetimet për shkaqet e ndotjes dhe përgjegjësinë për incidentin po vazhdojnë. /RTK
