Kosova, zgjodhi qeverinë e re dhe konstituoi Kuvendin, pas muajve të tërë në bllokadë.
Kësisoj, është hapur rruga për procesin e zgjedhjes së presidentit/es së re të vendit, derisa mandate i presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani mbaron në mars të këtij viti.
Shumë raportime dhe deklarata të ndryshme janë dëgjuar kohët e fundit në lidhje me skenarët e mundshëm për zgjedhje të presidentit.
E për këtë temë për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj, i cili krahas parashikimeve të ndryshme, beson se Osmani është kandidatja më e pranueshme dhe me punën e saj ka dëshmuar se e meriton edhe një mandat.
Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësitë që Osmani të kundërshtohet nga partitë tjera.
“Para një ngjarje të shënuar, siç është zgjedhja e presidentit/es të vendit, amatorë dhe specialistë të çështjeve politike, japin propozime dhe bëjnë parashikime, sipas analizave të tyre. Por, kush i ka gjasat për ta merituar postin e krye shtetarit, nganjëherë ka dilema objektive, kur kandidatët/et janë të një niveli apo të përafërt në simpati apo meritokraci. Por, në rastin konkret, duke njohur kandidaturën e parë dhe me provën e dhënë përgjatë mandatit të zgjatur, pothuaj se 6-vjeçar, nuk ka arsye për hamendje. Sepse Vjosë Osmani është objektivisht më e pranueshme për shqiptarët e kudondodhur.
Ndërkohë, kundërshti subjektive, edhe pse të pakët në numër, do të këtë. Presidentja aktuale, besoj edhe në pritje, për hirë të parimeve të hekurta, duke qenë sovrane në qëndrimet e saj, nuk e mbështeti të ardhmen e saj tek asnjë parti politike. Dhe, vetëm ky element, edhe pse fisnik, plus zilia me tepri e politikanëve partiakë, mund t`ia zvogëloi gjasat e vazhdimit të mandatit të dytë. Kjo nuk do të ishte humbje personale, sa do të ishte humbje për shtetin e brishtë të Kosovës, në procesin e konsolidimit”, nënvizoi ai.

Idriz Zeqiraj
Krahas kësaj, Zeqiraj foli edhe më gjerë për figurën e Osmanit, derisa tha se bashkë me Kurtin e Gërvallën kanë hyrë në historinë e kohës më të re të Kosovës, natyrshëm, me qëndresë dhe vendosmëri.
Madje, sipas tij, Osmani është e pakonkurrencë në garën për presidente.
“Edhe pse më lartë trajtuam figurën dhe personalitetin shumëdimensional të presidentes Osmani, megjithatë po bëjmë edhe disa plotësime. Historia ka dëshmuar se e ardhmja u përket reformatorëve. Të tilla janë binomi Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, të cilat kanë hyrë në historinë e kohës më të re të Kosovës, natyrshëm, me qëndresë dhe vendosmëri, njëmendësisht për ta bërë ndryshimin e madh, në Kosovën tonë, të lodhur nga krimi vrastar, hajnia zyrtare, haraçi, kontrabanda dhe të gjithë katalogun e veseve, të një shoqërie të zënë fryme dhe bjerrje të shpresës, për një perspektivë të afërme. Prandaj, bazuar në opinionin tërësisht pozitiv, Vjosë Osmani është uragan i papërballueshëm, madje nga kushdo qoftë, e pakonkurrencë.
Vendosmëria e kryeministrit Albin Kurti dhe e LVV të tij, me aleatët Guxo, Alternativa, për ta shtrirë sovranitetin “cep me cep” në veriun e Kosovës, ngjalli kundërshti dhe nervozizëm. Boshti Prishtinë-Tiranë-Beograd, përkatësisht, Hashim Thaçi, Edvin Rama, Aleksandër Vuçiq, ishin pajtuar që veriu i Kosovës, si “tokë e askujt”, “t`i lihet Serbisë”, siç do ta përçonte në opinion porosinë e Hashimit, këshilltari i trefishtë, Baton Haxhiu!”– shtjelloi ai.
Në vazhdim, veprimtari nga Gjermania përmendi edhe vizitën e Osmanit në SHBA dhe vlerësimet që ajo mori nga Trump e Rutte.
Këtu, ai theksoi mesazhet që bën politikanët amerikanë për presidenten, e që sipas tij vlejnë edhe për kryeministrin.
“Çmontimi i Institucioneve paralele të Serbisë në veriun e Kosovës, nga Qeveria Kurti, nxiti reagimin koral të Serbisë, Rusisë, BE-së dhe të disa ndërkombëtarëve të tjerë. Kësaj kampanje ogurzezë, iu bashkua edhe opozita kundra-kombëtare e Kosovës, duke kërkuar kthimin e gjendjes në veri, ku e ka lënë shelegia e Hashimit, Edita Tahiri, tej një dekade më parë!
Lobistët e paguar pro serbë, Hill dhe Grenell, bënin punën e tyre në Amerikë. Një marrëveshje strategjike Kosovë-SHBA u pezullua. Një zyrtar amerikan shënjestroi kryeministrin Kurti, duke akuzuar për gjithçka. Opozita, palë me Serbinë, për çështjen e veriut, i gëzohej goditjes dhe ishin në pritje të “non grata” nga DASH amerikan. Nga Administrata deklaruan hapur se të vetmen lidhje komunikuese që ka mbetur në mes të SHBA dhe Kosovës, është presidentja Vjosë Osmani,
Ndërkohë presidentja Osmani bëri disa vizita radhazi në Amerikë. Nga Shtëpia e Bardhë filloi një reagim ndryshe. Shefi i NATO-s, Rutte, do të thoshte se Vjosa është presidentja ime e preferuar. Takimi i presidentes Vjosë, në “Bordin e Paqes” me presidentin Donald Trump dhe pritja e veçantë e saj, të shoqëruar me një deklaratë dashamirësie unike: “E shihni këtë zonjë të ulur këtu, para meje, meriton të gjithë respektin tonë, sepse ajo po punon dhe lufton për mbrojtjen e Atdheut të saj”. Ndonëse të njëjtën gjë ka bërë dhe vazhdon ta bëjë edhe Albin Kurti, tërthorazi, ky mesazh vlente edhe për kryeministrin”, shtjelloi Zeqiraj.
Më tej, ai komentoi edhe zërat që kanë qarkulluar në lidhje me kandidatura të tjera për president të vendit, derisa nënvizoi se candidate zyrtare është vetëm Osmani.
Ndonëse, nuk përjashtoi mundësinë që Kurti të kalkulojë me partitë e tjera dhe të mos e rikandidojë Osmani, kjo për dy arsye, e të cilat i sqaroi më poshtë.
“Edhe pse ka pasur zëra, deklarata dhe përfolje për disa kandidatë të tjerë, ende nuk ka shpallje publike të kandidaturave të tjera, për president/e të Republikës të Kosovës. Pra, në tavolinë është kandidatura e vetme e presidentes aktuale, Vjosë Osmanit.
Megjithatë, deri me tani, as një subjekt politik apo grup deputetësh, nuk është deklaruar për ta propozuar Vjosë Osmanin për presidente të vendit. Partia fituese, LVV, e cila ka parësinë e propozimit të kandidatit/es për president/e, është deklaruar se janë disa procese të ngutshme në radhë, për t`u kryer dhe pastaj i vjen radha zgjedhjes për postin presidencial. LVV, si parti e centralizuar, nuk praktikon deklarime vetjake paushalle, por i përmbahet deklaratës fillestare të liderit Kurti.
Kjo ka ngjallur dyshime se mos Kurti ka ndërmend të kalkulojë me parti tjera, për dy arsye: E para, për ta lehtësuar zgjedhjen e presidentit. E dyta, ngritjen e mëtejme të figurës të Vjosë Osmanit, mund ta shikojë si një konkurrente serioze në perspektivë. Megjithatë, kalkulime të tilla në këtë fazë të proceseve konsoliduese të shtetit të Kosovës, nuk i shërbejnë vendit”.
Në fund, veprimtari nga Gjermania, shtoi se, është e rëndësishme që të vazhdojnë bashkëpunimin Kurti e Osmani, derisa tha se në rast se nuk rikandidohet presidentja aktuale, kjo do ishte humbje për Kosovën dhe kryeministrin e vendit.
“Me bashkëpunimin Vjosa-Albini, me veprimtarët tjerë, reciprokisht përfituan në karrierë. Ndërsa Kosova dhe populli i saj përfituan shumë. Ata bënë ndryshimin e madh dhe cilësor: Largimin nga pushteti i përgjakur të “komandantëve” profanë, mujsharë dhe zullumqarë. Ata, falsifikueshëm, u thirrën në akronimin prej tri germave “UÇK”, në luftën e pa bërë. Realisht, prej 4 të akuzuarve në Hagë, 3 prej tyre nuk ishin fare pjesë e luftës. Përkundër, luftën e kishin parë në televizor, nga “Blloku i Zi” i Tiranës. Nuk ishin as krerët dhe as bishti i UÇK-së. Këtë e thonë edhe anëtarët e hershëm të kryesisë të LPK-së dhe themelues të UÇK-së të LPK-së.
Sidoqoftë, anashkalimi i Vjosë Osmanit, nga çfarëdo kalkulimi i mundshëm i Kurtit, me partitë e tjera, do të kishte kosto të lartë humbëse për Kosovën. Por edhe një pabesi dhe humbje morale e Albin Kurtit. Ngaqë admirimi për integritetin dhe personalitetin e Vjosë Osmanit është masiv dhe unik”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.
