Rreth 150 vullnetarë iu bashkuan aksionit, ndërsa 15–20 persona të specializuar punuan në pjesët më të thella të liqenit, me mbështetjen e FSK-së, zjarrfikësve, peshkatarëve, Kompanisë rajoanle të ujësjellësit Prishtina dhe Trafikut Urban, duke larguar mbeturina nga kjo zonë gjatë ditës.
Organizatori kryesor, Luan Hasanaj, tha se përgatitjet për këtë aksion kanë nisur prej më shumë se një muaji dhe kanë përfshirë edhe aktivitete të mëhershme në pjesë të tjera të liqenit.
“I ka ndoshta më shumë se një muaj që jemi duke u përgatitur për ta organizuar këtë aksion në Liqenin e Badovcit, pra jo vetëm këtë pjesë këtu, por më herët me shumë vullnetarë ishim edhe te pjesa e brigjeve në anën tjetër të liqenit. Kështu që, diku 30–35 ditë janë dashur që të organizohemi për ta bërë të mundur realizimin e këtij aktiviteti sot…Afër 150 vullnetarë në tërë aksionin, ndërsa në aktivitetin ku jemi aktualisht është pak më specifik, pasi që thellësia e ujit është shumë e madhe dhe nevojitet të jenë pak më profesionistë ata të cilët ndërhyjnë. Jemi diku 15–20 persona të cilët jemi duke e pastruar këtë pjesë këtu”, tha Hasanaj.
Ai tha se realizimi i aksionit është bërë i mundur falë mbështetjes së institucioneve të ndryshme. Shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka ndihmuar me staf dhe pajisje, ndërsa kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe zjarrfikësit, peshkatarët dhe punëtorët e Ujësjellësit Prishtina. Ai tha se edhe Trafiku Urban ka ndihmuar në transportin e vullnetarëve, duke lehtësuar organizimin e përgjithshëm.
“Sigurisht që ka qenë e pamundur që ky aktivitet të bëhet pa mbështetjen e madhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë ardhur sot edhe me personel, por edhe me varkat e tyre. Po ashtu edhe zjarrfikësit, të cilët jashtëzakonisht kanë ndihmuar shumë. Kanë ndihmuar peshkatarët, punëtorët e KRU Prishtinës, të cilët kanë qenë pothuajse gjatë tërë ditës të angazhuar, mandej edhe Trafiku Urban i cili e ka bërë transportin e vullnetarëve deri këtu”, tha Hasanaj.
Ai shtoi se aksione të tilla janë vetëm zgjidhje e përkohshme dhe nuk e ndalin problemin e ndotjes në mënyrë të qëndrueshme dhe theksoi se institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa konkrete për ta parandaluar rikthimin e mbeturinave.
