LifeStyle

Pavarësisht të gjitha teorive, vetëm një zakon i përditshëm mund të na shpëtojë nga stresi

Interneti mbushet përditë me këshilla e studime për t’i shpëtuar stresit të jetës së re që po jetojmë, zhurmës së saj, por ka vetëm një zakon të shëndetshëm, të provuar nga secili prej nesh, shumë apo pak, që të lehtëson ngarkesën e ditës dhe ai është ecja e përditshme në natyrë.

Në epokën moderne, industrializmi, rrugët e mbipopulluara, ndërtesat prej betoni në zonat urbane e kanë bërë të vështirë që njerëzit të kenë hapësira të gjelbra për të marrë ajër të pastër. Pavarësisht kësaj, mbijetesa e njerëzimit varet krejtësisht nga natyra.

Të qëndruarit në natyrë ka një ndikim të fortë në pakësimin e ankthit, frikës dhe stresit. Për shkak të natyrës, gjendja emocionale e njeriut është më e mirë dhe fal saj vjen edhe mirëqenia fizike.

Të qëndruarit në natyrë, sipas ekspertëve, ul tensionin e gjakut, rrahjet e zemrës, tensionin muskular dhe sekretimin e hormoneve të stresit. Nuk ka rëndësi se sa kohë shpenzoni apo se me cfarë rritmi ecni, mjafton që lëvizjet të jenë të rregullta, pjesë e regjimit tuaj, dhe nuk është nevoja të sforcoheni. 30 minuta deri në 1 orë e gjysmë, janë lehtësimi i dinamikës së kohës së re.