Lajme

“Pazaret e vjetra rrezikojnë Kosovën, Kurti rrit mbështetjen” – Zeqiraj zbërthen prapaskenat e zgjedhjeve

Zgjedhjet e reja parlamenare tashmë edhe janë konfirmuar, e ato pritet të mbahen më 28 dhjetor të këtij viti.

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme, erdhën vetëm pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj, i cili tha se zgjedhjet lokale parashikojnë në një masë rezultatet e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Sipas tij, në këtë rast, LVV pavarësisht se kishte kritika dhe akuza të mëdha, ngjashëm si me rezultatin e 9 shkurtit, doli edhe në zgjedhjet parlamentare.

“Zgjedhjet lokale, edhe pse ndryshojnë nga ato qendrore-parlamentare, janë indikacione që parashikojnë, në një masë, rezultatet për zgjedhjet e reja parlamentare të pritshme. Me gjithë angazhimin enorme të mediave mercenare të Kosovës, me mbështetjen e hapur të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, bashkëpunimi deri në koordinim me mediat serbe dhe vet Serbinë, në paraqitjen e zymtë dhe dobësimin e Albin Kurtit, me LVV të tij, edhe pse fitorja e llogaritur në vota, më 9 shkurt 2025, ishte e parë me 22 komuna të Kosovës. Shifrat për rënie rapide të LVV, sipas debateve të çdo natshme, me reprizë të nesërmen, më shumë flasin për mercenarizmin e tyre, se sa për të vërtetën faktike”.

Image
Idriz Zeqiraj

Krahas kësaj, Zeqiraj kritikoi partitë opozitare për akuzat që po ia bëjnë Kurtit, e që sipas tij janë të padrejta dhe të ngjashme me akuzat që ia bën Vuçiqi.

“Akuzat që ia bënë opozita Albin Kurtit dhe LVV së tij, janë identike me ato që ia bënë Vuçiqi me bandën e tij serbe. Ka një kontradiktë qartazi të lexueshme: Opozita e pranon se “sanksionet e vëna nga BE-ja, janë padrejta dhe arbitrare, sepse ato duhej t`i viheshin Serbisë”. Dhe, në të njëjtën kohë akuzojnë se “sanksionet na i vuri Albini”, duke e shfajësuar plotësisht Serbinë! Madje, për të gjitha veprimet e Qeverisë Kurti, për ta shtrirë sovranitetin, dënoheshin zëshëm nga opozita, njësoj si Serbia”

Krahas kësaj, veprimtari nga Gjermania, foli edhe për koalicione të mundshme parazgjedhore.

Sipas tij, partitë e opozitës do synojnë të bashkohen, pasi konsideron se ato frikësohen nga mbështetja elektorale që ka Kurti.

“Thirrja për bashkim, qoftë edhe koalicion parazgjedhor, i opozitës të bashkuar, është një indikacion domethënës, se frika e opozitës është tmerruese, sepse asnjëra syresh nuk e përballon “ortekun” elektoral të Albin Kurtit, me partinë e tij gjithnjë aktive dhe në ngritje. Opozita PAN-iste, më sakt, krerët e tij dhe eksponentët e bandave të tyre, kanë frikë nga VETTING-u, me dosje penalizuese dhe BYROJA e verifikimit të pasurive hajnore e grabitçare. Prandaj e mbajnë të bllokuar, fillimisht Kuvendin, tani Qeverinë, duke pritur mrekullira shpëtimi nga ndonjë katarsis ballkanik. Njësoj si shefi i tyre Hashim, “rrafsh Kosova, edhe komandantët e Zonave në burg, vetëm unë të shpëtoj!””

Në fund, Zeqiraj shtoi se, nëse qeveria bie në duar të opozitës, atëherë këto parti “do ta vazhdojnë pazarin e lënë në gjysmë”.

“Thënë troç, opozita, me gjithë armatën propagandistike lehaqene, si dikur ati i tyre shpirtëror, filo-sllavi Enver Hoxha, kur Shqipëria ishte – Superfuqi Propagandistike Botërore -, fillimisht e Serbisë, pastaj e Rusisë, e Kinës dhe e llumhanës marksistë-leniniste. Megjithatë, nuk po arrinë ta bindë popullin e Kosovës, se ajo përballon revanshin e Serbisë për mbrojtjen e sovranitetit tokësor të Atdheut-Kosovë.  Aq më pak, kur disa bijë bastardë e shpirt shitur, bënë pazare të pista me Serbinë, Francën dhe Shqipërinë, për ta ndarë Kosovën.

Dhe, nëse Qeveria bie në duar të partive të ish-shefave të PAN-it, do ta vazhdojnë pazarin e lënë në gjysmë, më sakt, të ndërprerë dhunshëm nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, krijesë ekskluzive e SHBA-së dhe të shteteve të Quintit”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.