Çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit ka filluar t’i preokupojë partitë opozitare. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë deklaruar në favor të arritjes së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ditë më parë ka kërkuar konsensus politik për këtë çështje, duke theksuar se pa një marrëveshje të tillë, imponimi i emrave të veçantë nuk sjell rezultat.
“Kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus. Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të veçantë nuk sjell asnjë rezultat tjetër, përveç krizës institucionale. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet me logjikë force, por vetëm me logjikë konsensusi. Në këtë fazë, Kosova nuk ka luksin të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë. Vendit i duhen stabilitet institucional, funksionim normal i institucioneve dhe qetësi politike për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme”, ka deklaruar Abdixhiku.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur të enjten për nevojën e një marrëveshjeje politike. Ai ka theksuar se nuk e ka problem të takohet me kryetarin e partisë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, për çështje që lidhen me marrëveshje politike.
“I ka 57 ulëse në Kuvend dhe, sigurisht, mund ta formojë qeverinë edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë që nuk janë serbë, por nga komunitetet e tjera. I ka numrat e mjaftueshëm për formimin e qeverisë. Ka përgjegjësi për formimin e qeverisë dhe për konstituimin e Kuvendit. Ka përgjegjësi që pa vonesa ta konstituojë Kuvendin dhe të gjitha pozicionet e tij, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarët. Ne i votojmë nënkryetarët, pasi kemi edhe nënkryetarin nga radhët e PDK-së. Për të gjitha pozicionet e tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza në intervistën e tij të parë pas zgjedhjeve të dhjetorit.
I pyetur nëse PDK-ja do ta votojë kryetarin e Kuvendit, Hamza u përgjigj: “Pse të japim ne votë? Ata i kanë votat e mjaftueshme. Dhe, normalisht, pa marrëveshje politike, nuk votojmë.”
Tutje, kreu i PDK-së tha se partia e tij nuk është në pritje të ndonjë partie për marrëveshje, por theksoi se PDK-ja ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim në temat që janë në interes të vendit dhe se kështu do të veprojë edhe në të ardhmen.
“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Kjo nuk do të thotë se pajtohemi për gjithçka, por takimeve dhe bisedimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet nga tema dhe nga mënyra e ftesës. Edhe ftesa duhet të jetë e qartë dhe korrekte. Nëse ftesa ka prapavijë apo tendencë tjetër, atëherë nuk funksionon”, deklaroi Hamza.
Duke folur për postin e presidentit, i cili pritet të zgjidhet brenda rreth një muaji e gjysmë, Hamza shprehu gatishmërinë për të biseduar me kryeministrin Kurti për këtë çështje, por theksoi se përgjegjësia kryesore i takon partisë së parë.
Ai rikujtoi edhe praktikat e mëhershme të zgjedhjes së presidentëve në Kosovë, duke theksuar se gjithmonë është arritur marrëveshje politike.
“Nuk ka asgjë të keqe të flitet, por përgjegjësia për sigurimin e votave i takon partisë së parë. Presidenti Rugova, herën e parë, ia kishte dhënë postin e kryeministrit zotëri Rexhepit, ndërsa vetë ishte zgjedhur president. Herën e dytë ia kishte dhënë postin e kryeministrit zotit Haradinaj dhe vetë ishte president. Herën e tretë, zoti Sejdiu u zgjodh president me përkrahjen e PDK-së, ndërsa kryeministër ishte zoti Thaçi. Në atë kohë, PDK-ja kishte shumicën, por presidenti u zgjodh me marrëveshje politike”, tha Hamza.
Ai shtoi se edhe në rastet e mëvonshme, si zgjedhja e Behgjet Pacollit dhe e Atifete Jahjagës, presidenti është zgjedhur përmes marrëveshjeve politike, duke theksuar se gjithmonë partia që formon qeverinë mban përgjegjësinë kryesore për gjetjen e formulës së zgjedhjes së presidentit.
Analisti Afrim Kasolli, konsideron për “Bota sot” se të dyja partitë gjithnjë e më tepër janë duke kërkuar marrëveshje politike me partinë fituese.
“Dy nga partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, gjithnjë e më tepër janë duke e kërkuar marrëveshje politike më partinë fituese të zgjedhjeve, me qellim krijimin e institucioneve të reja. E para nëpërmjet kryetarit të saj Bedri Hamza, në një intervistë në Rubikon, ka bërë të ditur se është duke e kërkuar këtë gjë nga Albin Kurti, si për konstituim të Kuvendit, ashtu edhe për votim të Qeverisë së re dhe në fund të Presidentit. Me një fjalë ky subjekt politik po e shpalos dëshirën dhe ambicien e tij që të jetë pjesë e kombinatorikës së re në ndarjen e pushtetit. Kuptohet nëse pajtohet dhe ka mëshirë Albin Kurti për këtë pozicion të ri politik të PDK së.
Ngjashëm, po shprehet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse kjo e fundit deri më tani ka kërkuar konsensus vetëm për pozitën e Presidentit. Sipas saj vendi ka nevojë për stabilitet dhe jo për kriza permanente, prandaj LDK është këtu për ta ofruar këtë mundësi dhe shanse politike”, deklaron Kasolli.
Sipas tij, partitë opozitare tashmë po i tregojnë Kurtit se janë lodhur nga “rezistenca” opozitare.
“Ky ndryshim i kursit të subjekteve opozitare, pas zgjedhjeve të 29 dhjetorit është dhurata më e çmuar politike që i ofrohet Albin Kurtit kur tashmë i njëjti i gëzon frytet e një triumfi gati absolut. E para ato i tregojnë këtij të fundit se tashmë janë lodhur nga “rezistenca” opozitare dhe se po kërkojnë nga i njëjti pakt për të dalur nga situata e pashpresë në të cilën ndodhen. Se janë dorëzuar dhe nuk e kanë në plan si ta kontestojnë, por si t’i afrohen. Ngase rezultatet e fundit zgjedhore, dëshmuan se ai është në “rrugën e drejtë të historisë”, prandaj të parave nuk u mbetet gjë tjetër, pos ta përqafojnë këtë valë të re të historisë. Se është epoka e tij, prandaj as që ia vlen kundërshtimi”, shprehet analisti.
Ai konsideron se ky qëndrim i dy partive kryesore opozitare do të jetë fatal për to.
Por, ai nuk përjashton edhe efekte pozitive.
“Nuk ka dyshim se ky qëndrim i dy partive kryesore opozitare do të jetë fatal për to. Sepse të njëjtat në vend se ta lexonin rezultatin e fundit të zgjedhjeve si shenjë që pikërisht pse nuk kanë qenë sa duhet aktive për ta sfiduar për një mandat të plotë pushtetin e Albin Kurtit, pësuan disfatë, ato tashmë rrugën e vetme të mbijetesës kanë filluar ta kërkojnë, jo të riaktivizimi i rolit të tyre opozitar, por te kapitullimi moral para dyerve të pushtetit.
Sidoqoftë, kjo salto e tyre mortale politike mund të ketë edhe efekte pozitive. Ngase ajo mund ta shtrojë shtratin e fermentimit të një opozitë të mirëfilltë, e cila nesër si një uragan do të mund ti tejkalojë si ato ashtu edhe pushtetin e Albin Kurtit”, përfundon Kasolli.
