Lajme

PDK e quan skandaloze ekspozitën, kërkon hetim dhe përgjegjësi institucionale

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme dhe skandaloze ekspozitën e fundit për masakrat e luftës 1998–1999, e cila shtrembëron të vërtetën historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

Sipas PDK-së, çdo përpjekje për t’i relativizuar krimet e kryera në Kosovë, për t’i manipuluar faktet apo për ta deformuar të vërtetën, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike.

“Përderisa nga jashtë, veçanërisht në Hagë, po tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme, nga brenda rishkrimi i saj po financohet me para të shtetit dhe po promovohet nga përfaqësuesit shtetërorë. Kjo ngre dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe për standardet e verifikimit të përmbajtjeve që prekin çështje kaq të ndjeshme kombëtare”, thuhet në njoftim.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon sqarim dhe hetim të plotë publik mbi mënyrën se si është përgatitur dhe miratuar kjo ekspozitë.

“Identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj. Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës. Hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik. Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformimin e së vërtetës. Respekti për viktimat dhe mbrojtja e historisë sonë janë detyrime themelore shtetërore”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit të viktimave dhe vlerave të luftës çlirimtare.

Të Ngjashme