Lajme

PDK-ja kërkoi shkarkim dhe hetim, reagon Peci: Durim horra, nuk mundeni me më ndal as me ujë e as me plumba

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i ka reaguar PDK-së, pasi që ky subjekt politik kërkoi shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes, Fitore Pacolli të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.

Peci ka deklaruar se secili “sulm” nga opozitarët është “i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju”.

“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve!E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime!Veç pritni kriminela! Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoj si kurrë më parë!”, ka reaguar Peci në Facebook.

Tutje, Peci ka paralajmëruar se nga nesër do “ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”.

“Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, shkroi ministri.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, sot në një konferencë për media ka thënë se zbulimi i skandalit të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.