Lajme

PDK kërkon hetime urgjente për ligjëratën kundër ish-krerëve të UÇK-së në gjimnazin “Xhevdet Doda”

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur skandaloze ligjëratën e përfaqësuesve të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Sipas tyre, nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, iu janë paraqitur pretendime të njëanshme duke etiketuar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, në konferencë për media të premten, tha se lufta e lavdishme e UÇK-së po sulmohet edhe nga bankat e shkollave të Kosovës, mirëpo nuk mund të tjetërsohet assesi e vërteta.

Ai ka kërkuar që sa më parë dhe urgjentisht të zbardhet se kush është përgjegjës për këtë propagandë.

“Gjatë këtyre prezantimeve është përdorur gjuhë skandaloze, në kundërshtim me parimet themelore të një shoqërie demokratike dhe standardet ligjore të edukimit. Nxënësve, shumica nën moshën 18 vjeçare, iu janë paraqitur pretendime të njëanshme duke etiketuar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit. PDK vlerëson se kjo qasje është e papranueshme dhe skandaloze. Sot lufta jonë çlirimtare nuk po sulmohet vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por një narrativë e shtrembëruar po tentohet të futet edhe në bankat e shkollave, duke helmuar me propagandë nxënësit e mitur”, tha ai.

Gruda theksoi se gjuha e përdorur në incizimet e publikuara i trajton ish-krerët e UÇK-së si fajtorë, duke shkelur një nga parimet bazë të drejtësisë, siç është prezumimi i pafajësisë.

“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat e shkollave tona, por nuk mund të tjetërsohet e vërteta, jo në emër të drejtësisë selektive dhe nuk mund të dezinformohet për kujtesën kolektive në emër të edukimit. Shqetësimet e PDK-së janë shumëdimensionale lidhur me këto prezantime. Së pari, është shqetësim serioz indoktrinimi i nxënësve të shkollave të mesme, duke përfshirë edhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare. Shkollat nuk janë vend për propagandë politike, ato duhet të jenë hapësirë arsimimi, edukimi dhe zhvillimi të të rinjve dhe jo platformë për indoktrinim. Së dyti, jemi të shqetësuar me përpjekjet për të ndryshuar historinë dhe rishkruar të vërtetën për Kosovën. NATO dhe Perëndimi kanë intervenuar… Gjuha e përdorur në incizimet e publikuara i trajton ish-krerët e UÇK-së si fajtorë, duke shkelur një nga parimet bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë. Kjo shton dyshimet se i gjithë procesi në Hagë ka karakter politik dhe po paragjykohet vendimi përfundimtar për ish-krerët e UÇK-së”, theksoi Gruda.

Përkitazi me këtë, Gruda kërkoi llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve të Kosovës pa mbikëqyrje institucionale.

“PDK kërkon që sa më parë dhe urgjentisht të zbardhet se kush është përgjegjës për këtë propagandë dhe si ka ndodhur që këto ligjërata të shndërrohen në prezantime politike. Po ashtu, kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve të Kosovës pa mbikëqyrje institucionale”, tha ai.

Krahas kësaj, Gruda shtoi se marshi i paralajmëruar për datën 17 shkurt në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është një reagim i natyrshëm, kur ky proces ka hyrë në fazën finale të tij.

Javën që shkoi, nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” dëgjuan ligjëratë për Gjykatën Speciale të Hagës. Mbajtja e kësaj ligjërate ngjalli reagim të madh kundër mbajtjes së saj, e cila ishte organizuar edhe pa dijeninë e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.

E nga drejtoria e kësaj shkolle kishin deklaruar se dritën e gjelbër për këtë ligjëratë e kishte dhënë këshilli drejtues i shkollës.

Ndërsa, “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR)”, e cila ka organizuar ligjëratën mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e ka pranuar se ligjërata është mbajtur në bashkëpunim me zyrtarët e Speciales.

Të Ngjashme