Lajme

PDK mbështetë protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Partia Demokratike e Kosovës solidarizohet me kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë protestuar sot për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale, përkatësisht për provimin e jurisprudencës.

E drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është e garantuar me kornizën ligjore dhe kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse atje që t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat e studentëve shqiptarë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e plotë të të drejtave të garantuara me ligj.

PDK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

Të Ngjashme