Lajme

PDK me nismë për Gjykatën Speciale, njohësit tregojnë çfarë mund të ndryshojë

 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Sipas Hamzës, kjo nismë vjen në një kohë kur në Kosovë është rritur debati lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas protestave të fundit kundër aktgjykimit ndaj tyre.

PDK-ja ka thënë se përmes kësaj nisme synon të adresojë çështje që lidhen me funksionimin dhe procesin gjyqësor të Dhomave të Specializuara.

Mbështetje për këtë iniciativë ka shprehur Aleanca, ndërsa LVV ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë me kujdes nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar përputhshmërinë e saj me kornizën ligjore dhe ndikimin në procedurat në Hagë. Ndërkaq, ka kërkuar që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe ka theksuar nevojën për një qasje institucionale e shtetërore të koordinuar.

Nisma pritet të hapë debat të ri në Kuvend për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale, në një periudhë kur proceset në Hagë vazhdojnë të jenë në fokus të debatit politik dhe publik në Kosovë.

Lama: Gjykata Speciale nuk ka qenë asnjëherë shaka, por një kërkesë vendimtare e bashkësisë ndërkombëtare

Ish-ambasadorja Alma Lama, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar iniciativat për Gjykatën Speciale, duke thënë se ajo nuk mund të zhbëhet përmes një iniciative ligjore.

Sipas saj, në vend të iniciativave për ndryshimin e kuadrit ligjor, vëmendja duhet të përqendrohet te Gjykata e Apelit.

“PDK e di shumë mirë që Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet.

Iniciativa ligjore nuk do të prodhojë asgjë, pasi kërkohet ndryshimi i Kushtetutës, e cila mund të ndryshohet vetëm me shumicën prej 2/3 dhe me 2/3 e minoriteteve (shumica e dyfishtë). Ekzistojnë edhe detyrimet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Në vend të kësaj duhet përqendrim i forcave në Gjykatën e Apelit, e cila mund të ulë apo heqë dënimet nëse ato janë të pabaza”, thotë ajo.

Lama ka vlerësuar se Gjykata Speciale ka qenë kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht e SHBA-së dhe BE-së, ndërsa ka kritikuar kohëzgjatjen e hetimeve dhe peshën e dënimeve.

Image
Alma Lama

Sipas saj, Kosova duhet ta vazhdojë betejën në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare dhe përmes angazhimit diplomatik.

“Gjykata Speciale nuk ka qenë asnjëherë shaka, por një kërkesë vendimtare e bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht e SHBA-së dhe BE-së e cila mbështeti Këshillin e Europës.

Dënimet janë të rënda, hetimi ka zgjatur tepër dhe mbi të gjitha akuza për trafikim organesh nuk ka qenë pjesë e hetimit pasi prej fillimit u pa se është një shpifje monstruoze e Serbisë dhe Rusisë.

Beteja e Kosovës duhet të vazhdojë, por brenda sistemit të drejtësisë ndërkombëtare dhe në rrafshin diplomatik” – deklaron ajo.

Burjani: Monitorimi i përmendur nga PDK-ja për këtë gjykatë nuk ka efekt

Kurse, lidhur me këtë çështje për “Bota sot” ka folur edhe juristi Blerim Burjani, i cili tha se mandati i Gjykatës Speciale është i qartë, por problem mbetet mënyra e gjykimit.

Sipas tij, shqetësimet kryesore lidhen me paanshmërinë, vlerësimin dhe administrimin e provave, duke kërkuar një proces të drejtë dhe të bazuar në prova.

“Mandati është i qartë, por problemi është te gjyqtarët. Ligji nuk mund të ndryshohet në mandat as në kompetenca; ajo mbetet gjykatë. Problemi është te gjykimi: sa është proces i drejtë gjyqësor, si janë vlerësuar provat, si janë administruar provat, si janë kualifikuar etj. Këtu është problemi kryesor. Pra, kjo gjykatë ka problem me paanshmërinë.

Nuk është një gjykatë që sillet normalisht dhe bazuar në prova materiale apo formale. Ka shumë probleme në mënyrën se si u janë qasur proceseve të katërshes. Kërkesa është për drejtësi të rregullt dhe të bazuar në prova, por jo për anashkalimin dhe politizimin e procesit gjyqësor”, thekson ai.

Image
Blerim Burjani

Burjani shpreh dyshime për standardet e gjykimit, duke theksuar nevojën për një proces të pavarur dhe të paanshëm.

“Dyshimet janë te standardet e gjyqësisë, pra te parimet themelore: a është një gjykatë e cila organizon proces të rregullt gjyqësor, apo është e manipuluar dhe e njëanshme? Sidoqoftë, dëmi është bërë i madh në shkallën e parë, me aktgjykime drakonike dhe absurde. Tash shikohet si mundësi që Apeli të jetë më profesional dhe i paanshëm.

Kërkesa elementare është që të zbatohen parimet themelore për drejtësi të pavarur, sepse nuk ka besim në këtë gjykatë. Ligji mund të ndryshojë, por jo edhe misioni i kësaj gjykate, që është zbardhja e dyshimeve për krime lufte”.

Në fund, Burjani shtoi se monitorimi nuk sjell ndryshime thelbësore dhe se mbrojtja duhet të fokusohet te avokatët dhe sigurimi i fakteve të reja në procesin e Apelit.

“Monitorimi i përmendur nga PDK-ja për këtë gjykatë nuk ka efekt. Ligji nuk mund të ndryshojë edhe aq, por vetëm në mënyrë kozmetike. Vetëm zhbërja e kësaj gjykate mund t’i shpëtojë luftëtarët në Hagë; gjërat e tjera janë më shumë politike.

Tash ka nevojë për mbrojtje efektive nga avokatët, mbledhjen e shumë fakteve që kanë mundur të mungojnë në shkallën e parë. Pra, procesi duhet të kthehet në favor të palëve nën aktgjykim të shkallës së parë” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme