
1
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar për herë të parë pasi u publikua kontrata, ku i dha grant prej 100 mijë euro vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Peci përmes një postimi tha se “nuk favorizon individë”.
“Në lidhje me pretendimet e bëra nga Zyra e LDK-së për ndikim në përzgjedhjen e një përfituesi të caktuar, dëshiroj të sqaroj se Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.
Postimi i plotë i Faton Pecit:
Sqarim publik!
Fermeri në videon e mëposhtme është një nga fermerët punëtorë dhe brilantë, i cili nuk është diskriminuar në procesin e aplikimit për shkak të mandatit të tij politik!
Në lidhje me pretendimet e bëra nga Zyra e LDK-së për ndikim në përzgjedhjen e një përfituesi të caktuar, dëshiroj të sqaroj se Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve.
Pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive të tjera opozitare simotra PLANS, si dhe për të informuar publikun,(përkundër dëshirës sonë), do të ndajmë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik. Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete.
Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor!
Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë.
Të gjitha listat e përfituesve janë publike në këtë vegëz https://azhb-rks.net/sq/grante!
Jam kurioz të shoh dhe dëgjoj, se cili individ është përfitues jashtë kritereve të përcaktuara me program dhe udhëzim administrativ.
Egzon Pacolli, sekretar i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK-së, ka publikuar një video, përmes së cilës tregon për shkeljet në Ministrinë e Bujqësisë, që udhëhiqet nga ana e Faton Pecit.
Në video, Pacolli thotë se vëllai i Fitore Pacollit, deputete e VV-së, Blerimi, ka përfituar grant prej 100 mijë eurosh nga Ministria e Pecit.
Anëtari i LDK-së ka publikuar edhe dokumente të dhënies së grantit nga ministria e Bujqësisë.
Pacolli ka rikujtuar edhe fjalimin e Kurtit ku thoshte se familjarët janë vetëm për dasma dhe ka bërë thirrje që Prokuroria të merret me rastin.
“Familjarët janë veç për dasma, thoshte Lëvizja Vetëvendosje para se me ardhë në pushtet. Ama, deputetja Fitore Pacolli e ka shpërbly vëllaun me grant gati 100 mijë euro, prej ministrisë së bujqësisë”, ka shkruar ai.
Tutje, në video, Pacolli tregon se biznesi që përfitoi ishte regjistruar vetëm katër ditë më parë në ARBK.