Lajme

Peci: Ndarjet etnike pengojnë zhvillimin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës

Në konferencën “Kohezioni Social në Shoqëritë e Ndara: Perspektiva Krahasuese dhe Realitete Lokale” u theksua se ndërtimi i një shoqërie të bashkuar mbetet thelbësor për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, theksoi se kohezioni social duhet të ndërtohet mbi një vizion të përbashkët.

“Kosova është e përkushtuar që ta ketë vetëm një destinacion – anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo nënkupton barazi në shërbime dhe mundësi për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo feje”, u shpreh ai.

Ai theksoi se zhvillimi i balancuar rajonal është pjesë e këtij procesi, duke nënvizuar se Mitrovica ka mbetur prapa padrejtësisht.

“Mitrovica ka bartur një pasojë të padrejtë pas luftës, duke u trajtuar si problem lokal, ndonëse ka qenë dhe mbetet çështje më e gjerë, edhe përtej Kosovës”, tha Peci.

Duke folur për organizimin e qytetit, Peci kritikoi ndarjen administrative në dy komuna mbi baza etnike.

“Projektimi i një shoqërie mbi atë që na ndan, etnia apo feja, nuk i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe as integrimit”, tha ai, duke përmendur shembuj krahasues si Mostari dhe Shkupi.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe mungesën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, në konferencë.

“Fakti që kolegu im i veriut nuk është këtu flet shumë për sfidat që kemi në ndërtimin e bashkëpunimit dhe të ardhmes së përbashkët”, tha Peci duke theksuar se ndasitë nuk duhet të jenë pikënisje për zhvillim.

Ai foli edhe për projektet konkrete, duke veçuar impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë. Sipas tij, realizimi i këtij projekti shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës dhe forcimit të bashkëpunimit në qytet.

Të Ngjashme