47-vjeç vlerësohet të jetë mosha mesatare e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Andaj, kamotshëm është kërkuar një ligj për pensionim të parakohshëm, para moshës 65-vjeçare.
Megjithatë, gjatë javës ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se ka nënshkruar për themelimin e grupit punues për këtë projektligj.
Sipas tij, është synim që zyrtarët policorë të kalojnë në pension gradualisht, duke filluar nga mosha 62-vjeçare.
Kjo po mirëpritet edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës, që shprehen optimist se një i tillë do të jetësohet shpejt.
Megjithatë, kryetari Avdi Hoti tregon edhe disa kërkesa që i kanë sa i përket kësaj çështje.
“Kërkesa jonë është që ky ligj të jetë i ngjashëm me ligjin e FSK-së, konkretisht: Sa i përket lartësisë së pensionit, të fillojë me 60% të pagës bruto dhe për çdo vit përvojë pune të rritet për 2%, por të mos kalojë 80% të pagës bruto. Të merret parasysh paga më e lartë që zyrtari policor ka pasur gjatë shërbimit në Policinë e Kosovës. Një vit para daljes në pension, zyrtarit policor t’i ngriten dy grada më lart, si vlerësim për punën dhe kontributin e dhënë në Policinë e Kosovës. Edhe pas moshës 65-vjeçare, pensioni të mbetet i njëjtë dhe të mos ndryshojë për asnjëherë gjatë jetës së zyrtarit policor”, thotë Hoti.
Edhe ish-eprori i Policisë, Refki Morina vlerëson se është momenti i fundit për krijimin e këtij projektligji.
“Unë shpesh dëgjoj nga ekspertë të ndryshëm që thonë se nuk është i domosdoshëm, unë mendoj se është mëse i domosdoshëm pasi që unë vetë kam punuar në Policinë e Kosovës dhe në Polici na nevojiten gjenerata të reja, njerëz të rinj dhe të cilët mund të ballafaqohen me problematika të ndryshme të vjedhjeve, kryerësve të ndryshëm të veprave penale, grabitjeve, dhe formave tjera të tilla të cilat këto gjeneratat e reja besoj që do të mund t’i kryejnë më me ngulm”, shprehet Morina.
Ai kërkon që një nismë e tillë të mos mbetet vetëm në suaza të premtimeve elektorale.
“Unë mendoj se premtime të tilla nuk jepen veç shkel e shko, por premtime të tilla kur jepen, duhet të kryhen. Edhe unë nuk mendoj se një premtim i tillë, një angazhim i tillë i ministrit do të ketë si bazë atë për shkak të zgjedhjeve etj., por do të jetë i mirëfillt, objektiv dhe me qëllime të mira në mënyrë që ta kemi një ligj imediat që është i rëndësishëm për Policinë e Kosovës”, thotë ish-eprori i Policisë.
Tëvë1 ka pyetur edhe Policinë e Kosovës lidhur me moshën mesatare të punonjësve të saj e me sëmundje shëndetësore, por që nuk ka pranuar përgjigje.
Ndryshe, në vitin 2021 ishte premtuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të bëhej ky projektligj bashkë me atë të sigurimeve shëndetësore për policët.
Një propozim i tillë ishte sjellë në Kuvend nga deputeti opozitar, Rashit Qalaj që ishte drejtor policie, por që nuk ishte votuar nga pozita.
