Rusia dhe Kina kanë organizuar një patrullë të përbashkët mbi veriun e Oqeanit Paqësor dhe Detin Bering pranë bregut të Alaskës.
Të dyja vendet kanë kryer disa patrulla të përbashkëta në të kaluarën dhe Rusia fluturon rregullisht me bombarduesit e saj mbi Detin Bering.
Por patrulla e përbashkët e së mërkurës ishte e para që mblodhi së bashku bombardues si nga Rusia dhe nga Kina në zonën veriore të Paqësorit.
Moska dhe Pekini thanë se ky partullim “nuk kishte për qëllim asnjë palë të tretë”, ndërsa Komanda Amerikano-Kanadeze e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) tha se bombarduesit, të cilët i interceptuan, qëndruan në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe “nuk shiheshin si kërcënim”.
Por senatori i Alaskës Lisa Murkoëski e përshkroi ngjarjen si një “provokim të paprecedentë nga kundërshtarët tanë”, duke shtuar se “ishte hera e parë që ata vështroheshin duke vepruar së bashku”.
Kina ka thënë se patrulla nuk ka “asnjë lidhje me situatën aktuale ndërkombëtare dhe rajonale”.
Sipas Rusisë, në patrullim morën pjesë transportuesit strategjikë të raketave ruse TU-95MS dhe bombarduesit strategjikë Xian H-6 të forcave ajrore kineze.
Kina dhe Rusia kanë zhvilluar lidhje më të ngushta që kur Moska u vendos nën sanksione nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.
Në fillim të këtij muaji, Moska dhe Pekini përfunduan patrullën e tyre të katërt të përbashkët detare në Oqeanin Paqësor verior dhe perëndimor.
Vendet e NATO-s lëshuan një deklaratë të përbashkët në fund të samitit të fundit në Uashington duke akuzuar Kinën se është një “mundësuese vendimtare” e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe duke i kërkuar asaj që “të ndërpresë çdo mbështetje materiale dhe politike” për përpjekjet luftarake të vendit.
Në një raport mbi sigurinë e Arktikut të botuar të hënën, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA shprehu shqetësimin për “rreshtimin në rritje” të dy vendeve dhe parashikoi se bashkëpunimi i tyre ushtarak do të vazhdojë të rritet.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e hodhi poshtë këtë, duke thënë se bashkëpunimi ruso-kinez në Arktik mund të kontribuojë vetëm në një atmosferë “stabiliteti dhe parashikueshmërie” në zonë.