LifeStyle

Për më shumë lumturi në jetën tënde: 5 veprimet që duhet të bësh

Nëse sheh përreth dhe vë re miq dhe familjare – sigurisht, edhe veten – ca njerëz duken më të lumtur se të tjerët. Praktikisht, disa prej tyre e shohin gotën gjysmë plot dhe disa të tjerë, gjysmë bosh. Sipas psikologes dhe profesores Sonja Lyubomirsky, disa njerëz thjesht janë më të lumtur se të tjerët. “Ata s’përpiqen shumë. Thjesht janë më të lumtur”, shprehet ajo.

Lyubomirsky, profesore e degës së psikologjisë në universitetn e Kalifornisë, e ka studiuar çështjen e lumturisë për rreth 35 vitesh dhe ka shkuar edhe një libër me studimet dhe përfundimet e saj: “The How of Happiness: A New Approach to Getting the Life You Want”.

“Lumturia ka dy elemente: Përvoja e emocioneve pozitive, të cilat janë gëzimi, entuziazmi, qetësia, kurioziteti, pëlqimi, krenaria dhe elementi i dytë është mendimi dhe ndjesia se jeta është e bukur dhe se je i/e kënaqur me jetën tënde”, thotë Lyubomirsky. Ajo vë re edhe 5 veprime që mund të bësh nëse do të jesh një person më i lumtur:

1. Përfshihu

Përfshihu në gjënë që je duke bërë. “Kur je totalisht i përfshirë në atë që po bën dhe s’e vëren kalimin e kohës, je në një fazë që lidhet me gëzimin. Mundohu të rrisësh numrin e këtyre momenteve dhe bëj të mundur që të “përhumbesh” në të tilla përvoja”, thotë ekspertja. Jo, s’e ka fjalën që të ngjisësh Everestin, por të ndjekësh pasionet e tua, të luash me fëmijët, ose të argëtohesh me shpirtin binjak/miqtë.

2. Veprime të vogla mirësjelljeje

Bëj gjëra të bukura për të tjerët gjatë ditës tënde. “Të jesh i/e sjellshëm/me me të tjerët mund të rrisë edhe lumturinë tënde. Të bën të ndihesh një person bujar dhe i aftë, madje të bën edhe më mirënjohës për veten dhe situatën në të cilën ndodhesh”.

Ne kemi tendencën të buzëqeshim kur shohim të tjerët të lumtur, ndaj imagjino të jesh ti burimi i lumturisë.

3. Kujdesu për lidhjet e tua

Kur bëhet fjalë për nivelet e lumturisë, duhet ta dish se marrëdhëniet me të tjerët kanë një ndikim më të madh se gjithçka tjetër. “Të kalosh kohë cilësore me partnerin, fëmijët, të rilidhesh me miqtë e vjetër, apo të takohesh me kushërinjtë që ke për zemër, bën që të ndjesh më shumë lumturi”, shprehet Lyubomirsky.

Ndaj, nisur nga e hëna, mundohu të fuqizosh marrëdhëniet me të tjerët.

4. Shpreh mirënjohjen

Të numërosh bekimet që ke në jetë, padyshim sjell më shumë lumturi dhe tërheq gjërat pozitive drejt jetës tënde. Bëj një listë për gjërat për të cilat ndihesh mirënjohës/e dhe shprehe shpesh këtë qasje më pozitive të jetës tënde.

5. Festo për lajmet e mira

Të krenohesh dhe të ndash arritjet e tua me të tjerët ka një lidhje shumë të bukur dhe të ngushtë me lumturinë. Kështu, ti do të ndihesh një njeri i aftë dhe do ta ‘falenderosh’ veten që ke shkuar kaq larg. Qeras njerëzit e dashur për një arritje tënden, si rritja e pagës, apo një shpërblim tjetër dhe shih se sa mirë do të ndihesh. Fundja, do të kesh një arsye më shumë për të festuar.