Lajme

Përfituan 15 mijë euro duke mashtruar klientët, arrestohen 2 punonjës të një agjencie turistike!

Dy punonjës të një agjencie turistike janë arrestuar pasi akuzohen se përfituan 15 mijë euro duke mashtruar klientët.

Në pranga kanë rënë dy të rinjtë, 22-vjeçari me iniciale K. K., dhe 24-vjeçari me iniciale R. H., të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Dyshohet se ata kanë mashtruar klientë të agjencisë së udhëtimit ku ishin të punësuar.

Dy puonjësit u kanë marrë atyre paratë për rezervimin e biletave për vajtje-ardhje dhe për akomodim në hotel, por kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Travel”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Ndalohen 2 shtetas, punonjës të një agjencie turistike, pasi dyshohet se kanë përfituar rreth 15 000 euro, duke mashtruar klientët e agjencisë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Travel”. Si rezultat i operacionit u ndaluan shtetasit:

K. K., 22 vjeç, dhe R. H., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, parashikuar nga nenet 143/2-25, 180 dhe 181 të K. P.

Këta shtetas dyshohet se kanë mashtruar klientë të agjencisë së udhëtimit ku ishin të punësuar, pasi iu kanë marrë atyre paratë për rezervimin e biletave për vajtje, ardhje dhe për akomodim në hotel, por kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.