Ka përfunduar dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar. Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë. Dëshmia e tij ka nisur dje dhe ka vijuar edhe sot nga mëngjesi.
Pas pushimit prej 15 minutash do të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të tretë në këtë gjykim.
Avokati i Isni Kilajt, Joe Holmes ka kërkuar shtatë ditë kohë që të dorëzojnë parashtrime palët, meqë sipas tij dëshmia e holandezit është e pa plotë.
Holmes: Dëshmia e ekspertit të kriminalistikës është e pa plotë
“Kemi një kërkesë të shkurtër që ka të bëjë me dëshmitarin 08. Dhe përderisa jemi drejt fundit të dëshmisë së dëshmitarëve të Prokurorisë ka disa çështje të tjera të cilat u përmendën nga dëshmitari 08 dhe ne parashtrojmë që lidhen më shumë me drejtësinë e procesit dhe pranimin e dëshmisë së tij, sepse ne mendojmë dhe parashtrojmë që kjo është një dëshmi e pa plotë. Këtë e dimë se shumë prej pyetjeve të rëndësishme të bëra prej ekipeve të mbrojtjes, dëshmitari nuk pati mundësi që t’i jepte përgjigje. Kështu që në thelb, ne kërkojmë shtatë ditë në mënyrë të tillë që të dorëzojmë parashtrime lidhur me këtë element në mënyrë të tillë që të trajtojmë aktekspertizën e ekspertit por gjithashtu edhe të ju japim mundësinë neve dhe ekipeve të tjera të mbrojtjes që të shprehën në këtë pikë”, ka thënë ai.
Pas pauzës prej 15 minutash, gjyqtari i vetëm në çështjen gjyqësore, Christoph Gosnell ka njoftuar vendimin lidhur me kërkesën e mbrojtjes.
Gosnell: Afati për parashtrimet e mbrojtjes do të jetë e marta e javës tjetër
“Afati për parashtrimet e mbrojtjes do të jetë e marta e javës tjetër, që më duket se i bie gjashtë ditë, jo shtatë ditë. Dhe ZPS po ashtu duhet të ketë gjashtë ditë për tu kundërpërgjigjur, që i takon e hëna pas dy javësh”, njoftoi Gosnell.
Para përfundimit të dëshimisë, në pyetjet e avokates së Hashim Thaçit, Sophie Menegon lidhur me statusin e Institutit të Kriminalistikës së Holandës, dëshmitari holandez tha se është agjenci e pavarur që funksionon nën Ministrinë e Sigurisë dhe Drejtësisë. Ai pohoi se është punonjës i sektorit publik në Holandë. Pas këtyre pyetjeve është kërkuar që të kalohet në seancë private.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.
Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Fjalët përfundimtare për këtë rast janë thënë gjatë muajit shkurt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshen e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Tashmë çështja i ka kaluar trupit gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë. Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur me datën 9 shkurt dhe kanë përfunduar me 18 shkurt.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
