1
Shtabi Emergjent Komunal për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit në Komunën e Malishevës, të cilat u shoqëruan me vërshime dhe dëme të konsiderueshme, pas analizës së gjendjes aktuale, ka vendosur që të hiqet gjendja e situatës emergjente.
Megjithatë, në njoftimin e Komunës u tha se shërbimet emergjente mbesin në gatishmëri të shtuar.
Ky vendim është marrë sot, pas mbledhjes së Shtabit Emergjent dhe vlerësimit të situatës në terren. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja aktuale është stabile.
Gjatë kësaj mbledhjeje, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me anëtarët e Shtabit Emergjent, ka theksuar se situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private.
Po ashtu, Kastrati ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e dëmtuar që të parashtrojnë kërkesat për vlerësim të dëmeve pranë Zyrës së Pritjes.
Në përfundim të mbledhjes, Kastrati, në emër të Shtabit Emergjent dhe në emrin e tij personal, ka falënderuar në mënyrë të veçantë të gjitha ekipet emergjente dhe institucionet e angazhuara për përkushtimin dhe angazhimin e treguar gjatë menaxhimit të kësaj situate. /Klankosova.tv


