Lajme

Përfundon samiti BE-Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet e pranojnë deklaratën

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakort me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt këtë të mëkurë në Bruksel.

Ndër të tjera në deklaratën e miratuar nga 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish të BE-së u është bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

BE-ja e përsëriti angazhimin e saj “të plotë dhe të qartë” ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

“BE- ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë” thuhet në dokument.

Gjithashtu, në pikën shtatë të deklaratës së përbashkët të miratuar në Bruksel mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, nënvizohet mbështetja e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe për çështjet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja Palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që Palët të mund të përparojnë në rrugëtimet përkatëse evropiane.

Ne nxitim Palët të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për Rrugëtimin drejt Normalizimit dhe Shtojcën e saj Zbatuese si dhe të gjitha Marrëveshjet e mëparshme, pa vonesa ose parakushte të mëtejshme. Ne gjithashtu presim që Palët të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha pas samitit se porosia kryesore e samitit ishte nevoja për integrim gradual të këtyre vendeve në bllok, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre në rajon.

“A duhet t’i integrojmë sa më afër para se të hynë në BE në mënyrë graduale. Kjo është pika e parë. E dyta është rritja ekonomike. Shumë pjesëmarrës folën për bashkëpunimin në fushën e energjisë. U desh të përballemi me shantazhet e Rusisë në furnizim me energji. Kjo pati ndikim edhe në Ballkan“, tha Michell, teksa më tej theksoi se  u bisedua edhe për përshtatje të politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Ndër të tjera, ai përsëriti thirrjen për zgjidhjen e konflikteve dhe mospajtimeve si kusht kyç për integrim në BE.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo