Bota

Përfundon ultimatumi i Trump, Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran të shmangin trenat

Tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar ndjeshëm këtë të martë, në ditën kur skadon ultimatumi i vendosur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme ajrore, ndërsa Teherani ka refuzuar një propozim për armëpushim të menjëhershëm të ndërmjetësuar nga SHBA. Plani parashikonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e bisedimeve për paqe brenda 15–20 ditësh, por autoritetet iraniane kanë paraqitur kushte të reja, përfshirë heqjen e sanksioneve dhe ndalimin e konflikteve në rajon.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se ka goditur objektiva të infrastrukturës qeveritare në Teheran dhe zona të tjera, ndërsa po aktivizon sistemet e mbrojtjes për të ndaluar raketat iraniane.

Ndërkohë, Arabia Saudite raportoi kapjen e raketave balistike mbi territorin e saj, duke shtuar alarmin në rajon. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë lëshuar paralajmërime për sigurinë publike.

Në një zhvillim të fundit, ushtria izraelite u ka bërë thirrje qytetarëve në Iran të shmangin udhëtimin me trena dhe qëndrimin pranë linjave hekurudhore deri në mbrëmje, duke paralajmëruar se “jeta e tyre është në rrezik”.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa afati i vendosur nga Trump shton pasigurinë për zhvillimet e mëtejshme në rajon.

/tiranapost

Të Ngjashme