Këto ndërtesa që tani strehojnë studentë, shumë shpejt do të mirëpresin sportistë nga e gjithë bota.
Në Prishtinë konviktet janë paraparë si një nga hapësirat kryesore të akomodimit për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
E për këtë projekt parashihen deri në 70 milionë euro investime në këtë qendër.
“Tri konvikte që janë më të reja edhe këto do të renovohen poashtu edhe salla 1 tetori, Menza e Studentëve, edhe tri konvikte të reja, ato të rejat me kapacitet shumë të mirë dhe gjithsej do të na vijnë rreth 5000 mijë shtretër në fund në të vitit 2029. Renovimet do të fillojnë në vitin 2027 nga fillimi dhe tutje dhe poashtu një pishinë gjysmëolimpike”, thotw Ekrem Rudari- drejtor i Qendrës së Studentëve.
Ndërkohë, nga Komiteti Olimpik i Kosovës theksojnë se një nga sfidat kryesore mbetet stadiumi kombëtar, i cili kërkon angazhim më të madh.
Në anën tjetër, nga Ministria e Sportit thonë se disa nga investime kapitale janë në fazë konkrete të përgatitjes.
“Kemi qendrën akuatike dhe qendra e tenisit, pra projekte që nuk kanë filluar ende të realizohen, ndërsa jemi në fazën finale për Qendrën e studentëve dhe Pallatin e Rinisë, pra mendoj që mesin e këtij viti do të shpallet tenderi për hartim të projektit ku këto dy projekte madhore pritet që të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm”, shprehet Fidan Shatri-ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv në agjencinë e sportit.
Projektligji për Lojërat Mesdhetare u miratua në lexim të parë në Kuvend, në seancën e mbajtur më 10 prill.
