Lajme

Përkujtohet masakra e Lybeniqit, krerëve të shtetit iu kërkohet unitet politik

Familjarët u mblodhën të mërkurën.

Gjithçka ishte gati që homazhet të nisin në ora 12:00.

E gjitha kjo, në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Lybeniqit në Pejë.

Këtu me 1 prill të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 59 civilë të pambrojtur shqiptarë.

Të parët që erdhën këtu për homazhe, ishin krerët e partive politike në vend.

Këta vendosën kurora lulesh tek memoriali i të vrarëve në këtë masakër.

Pas tyre, në Lybeniq erdhi edhe e para e vendit, Vjosa Osmani.

Kjo e fundit, tha se Serbia në këtë masakër pati vetëm një qëllim.

“Këtu u vranë e u masakruan edhe gratë shtatzëna, këtu u vranë edhe foshnjet në barkun e nënës e këtu u vranë edhe të moshuarit që nuk mund të lëviznin. Këtu u shpërfaq në mënyrë më mizore qëllimi i regjimit gjenocidal serb. Qëllimi ishte që ta shfaroste popullin shqiptar nga faqja e dheut”, tha presidentja Osmani.

E ata që i mbijetuan krimit serb, për presidenten patën një kërkesë në kohën kur vendi po përballet me krizat politike.

“Ne si familjarë kërkojmë që e gjithë politika të ketë unitet dhe Republika e Kosovës të jetë më fortë”, u shpreh Elahme Kurtaj-Haradinaj, dëshmitare.

Por, duket se kërkesa e kësaj të mbijetuare të masakrës, nuk u plotësua.

Kjo meqë në të njëjtën kohë, në Lybeniq arriti edhe kryeministri, Albin Kurti si dhe kryekuvendarja, Albulena Haxhiu.

Megjithatë, një përshendetje mes tyre mungoi.

Edhe Kurti, u njoftua nga afër me atë që ndodhi në atë ditë tmerri në Lybeniq.

Ndërsa kryeministri iu premtoi se amanetin e të vrarëve, do ta çojnë në vend.

Ndryshe, Masakra e Lybeniqit në Pejë u krye nga forcat serbe, të udhëhequra nga grupi “Çakejtë”, në krye me Nebojsha Miniq i njohur me nofkën “Mrtvi” (Mërtvi)

 

 

Të Ngjashme