Lajme

Përmbytje në disa zona të Kosovës, eksperti i emergjencave paralajmëron situatë kritike

Disa vende në Kosovë po përballen me përmbytje të rënda pas reshjeve të shumta që kanë vijuar ditëve të fundit. Situata është veçanërisht kritike në Junik dhe Malishevë, ku autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Eksperti i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se situata e krijuar nga reshjet e shumta është jashtëzakonisht serioze dhe kërkon veprime të menjëhershme.

“Situata e krijuar nga reshjet e shumta është shumë serioze dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Përmbytjet që kanë përfshirë disa zona dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme tregojnë qartë se kapacitetet lokale janë tejkaluar. Për të menaxhuar situatën, është e domosdoshme aktivizimi i shtabeve emergjente në nivel lokal dhe kombëtar, koordinimi i institucioneve të reagimit të parë, si dhe sigurimi i furnizimeve bazë dhe strehimit për qytetarët e prekur. Monitorimi i vazhdueshëm i situatës dhe informimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve janë po ashtu të domosdoshme”, ka thënë  Ahmeti.

Gjithashtu, ai ka apeluar që qytetarët të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo emergjencë.

“Mesazhi im për qytetarët është të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo situatë emergjente. Siguria e tyre është prioritet kryesor”, ka përfunduar Ahmeti.




Të Ngjashme