Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me pakënaqësi dhe debate të theksuara të brendshme.
Këto përplasje u intensifikuan vetëm pak ditë pasi Lumir Abdixhiku mori votëbesimin në Kuvendin e LDK-së, kur ai u kritikua publikisht nga ish-kryetari i partisë, Isa Mustafa.
Sipas Mustafës, rezultati zgjedhor do të duhej të lexohej si një mesazh i qartë i qytetarëve, që, në rrethana normale, nuk do ta justifikonte vazhdimin e Abdixhikut në krye të partisë.
Në një intervistë për KP, Mustafa deklaroi se Abdixhiku duhej të ishte më i matur në deklaratat e tij pas zgjedhjeve, duke nënvizuar se marrja e përgjegjësisë publike kërkon reflektim dhe konsulta paraprake.
“Edhe Abdixhiku dhe gjithë ne që merremi me politikë, duhet të mendojmë më gjatë para se ta themi fjalën. Më 28 doli dhe tha se e merr përgjegjësinë objektivisht për rezultatin. Më vonë tha se do t’ia ofrojë dorëheqjen Kuvendit dhe unë s’mund të them nëse është dashur të japë dorëheqje ose jo, por është dashur t’i matë fjalët para se t’i thotë. Të flejë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët”, tha si.
“Unë s’mund të them se si është dashur të veprojë me dorëheqjen, unë për veti në momentin që e kam parë se rezultati ka dalë më pak se 13%, nuk kam ofruar dorëheqje, por kam dhënë dhe kam njoftuar anëtarët e Kryesisë që me këtë e përfundoj mandatin tim në LDK dhe në të gjitha organet e LDK-së”.
Pas këtyre deklaratave, reagimi i kryetarit aktual të LDK-së nuk vonoi. Në një postim në Facebook, Lumir Abdixhiku, pa përmendur emra konkretë, iu referua kritikave të ish-kryetarit, duke theksuar se ekziston një “mosdurim i thellë” ndaj vendimit të anëtarësisë së LDK-së, e cila me shumicë votash nuk e pranoi dorëheqjen e tij.
“Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj.
Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin”, shkroi kreu i LDK-së.
E gjithë kjo situatë ngre pyetje të rëndësishme: çfarë tregon realisht kjo përçarje e brendshme dhe kjo përplasje mes gardës “së vjetër” dhe asaj “të re” brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës?
Mjaki: LDK-së nuk i duhet dikush që vjen si turist, përfiton dhe largohet pa bërë asgjë

Ismet Mjaki
Fillimisht, për këtë temë për “Bota sot” foli veprimtari i LDK-së nga Zvicra, Ismet Mjaki.
Së pari, ai komentoi “rugovizmin” si frymë dhe ironizoi me ata që thirren në emër të Rugovës, ndonëse kanë pak kohë që janë në LDK.
“Unë jam nga 23 dhjetori 1989 në LDK dhe nuk e di a mund ta quaj veten Rugovist, kur deri sot LDK-në kurrë nuk e kam përfituar financiarisht, as një euro, por vetëm i kam dhënë. E këta, pas tre ditësh në LDK, thirren si “Rugovist”, ndërsa unë jam më i Rugovist se ata!”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Mjaki tregoi se pse LDK ka arritur në këtë pikë, derisa e potencoi faktin se vështirë është që të zëvendësohet figura e Rugovës.
Ai shpjegoi se si i morën pozitat kryetarët e LDK-së, veçanërisht Mustafa e Abdixhiku, pas vdekjes së Rugovës.
“Pse jemi këtu si LDK?
Pas shkuarjes në amshim të Presidentit Rugova, ku këpucët e tij nuk i bëjnë askujt, kuptoj që është e vështirë të jesh pasardhës i tij. Sejdiu kishte këshilltare Vjosën, dhe kur largoi Dacin, afroi Isën, dhe ky ia mori partinë Sejdiut. Isa ishte një njeri që Rugova nuk e ka dashur (bile ai ishte me partinë PREK në 2004 me Bukoshin), kundër LDK-së.
Isa largoi Vjosën sepse ajo deshi t’ia merrte partinë, e ai e largoi me SMS dhe afroi Lumirin, i cili u bë kryetar dhe sot është kundër Isës dhe klanit të tij”.
Për këtë, ai potencoi se asnjë nga të përmendurit më lartë nuk e do LDK-në, por vetëm e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë këtë parti.
“Tani, kjo dukuri na ka përcjellë: asnjëri nga këta nuk e do LDK-në, por vetëm e shfrytëzon, bën karrierë në LDK dhe përfiton.
LDK-së i nevojitet një njeri që e do LDK-në, jo dikush që vjen si turist, përfiton dhe largohet pa bërë asgjë. Tani, nëse Isa është më Rugovist se Ukë Rugova dhe Vjosa, atëherë na ka marrë keqja”, përfundoi Ismet Mjaki për “Bota sot”.
Dajaku: Grupacionet brenda çdo organizimi, politik apo jopolitik e kanë shkatërruar LDK-në

Xhevat Dajaku
Ndërsa, për zhvillimet e fundit në LDK dhe përplasjet e vazhdueshme foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” rikujtoi fillimet e kësaj partie dhe figurat më të shquara të saj, derisa sipas tij në këtë pjesë, nuk bën pjesë Isa Mustafa, e për këtë kishte disa arsye.
“LDK-ja, qysh në fillim, ishte një forcë e fuqishme me njerëz të kalibrit që do t’i kishin lakmi edhe evropianët, si I. Rugova, F. Agani, I. Ajeti e shumë të tjerë. Edhe pse doli nga një sistem monist, ajo e dëshmoi se shqiptarët ishin demokratë të vërtetë, paqësorë, liridashës dhe euro-perëndimorë.
Isa Mustafa nuk u radhit në këtë plejadë, por u përfshi në Qeverinë e Bukoshit në azil si ministër i Financave. Më vonë, bashkë me vartësin e tij Bukoshin, u bënë të padëgjueshëm ndaj presidentit Rugova. Kjo solli një përçarje mes qeverisë dhe presidencës, e cila nuk u rikuperua asnjëherë. Me përfundimin e luftës, Qeveria Bukoshi ia dorëzoi qeverisë së përkohshme, jo legjitime, mbi 50 milionë euro, për të cilat nuk dihet se ku përfunduan. Dyshohet se disa nga këto shuma janë përdorur për eliminime politike dhe vrasjet e pasluftës, sepse askush nuk vret “për qejf”, pa pagesë e pa porosi – sidomos kur pushteti kërkohet me çdo kusht, siç vepronin dikur partizanët”, tregoi ai.
Gjithashtu, Dajaku potencoi se grupacionet e brendshme politike e kanë shkatërruar LDK-në, pas vdekjes së presidentit histroik, Rugova.
Ai shtjelloi se si rrjedhën procedurat e zgjedhjes së kryetarëve të LDK-së ndër vite, përfshirë Sejdiun e Mustafën.
“Grupacionet brenda çdo organizimi, politik apo jopolitik, sjellin dëme që çojnë në zbehjen apo shpërbërjen e atij organizimi. Pikërisht ky sindrom e ka shkatërruar LDK-në vazhdimisht pas vdekjes së Rugovës. Ai i kishte vërejtur grupacionet, por kishte fuqinë t’i menaxhonte.
Pas vdekjes së Rugovës, F. Sejdiu u bë kryetar i LDK-së. Por mbetet interesante thënia e tij: “Ma ka lënë Rugova amanet postin e kryetarit”. Se si dhe ku ia ka lënë këtë “amanet”, askush nuk e di, përveç Sejdiut.
Ndarja e parë u pa kur garuan F. Sejdiu dhe N. Daci. Sejdiu fitoi me tri apo katër vota më shumë, ndërsa Daci ia uroi fitoren si një xhentëlmen i vërtetë. Por aty dolën në skenë grupacionet: grupacioni i Sejdiut e eliminoi Dacin dhe mbështetësit e tij nga skena politike, gjë që nuk duhej të ndodhte kurrsesi. Minimumi do të ishte që Daci të radhitej i dyti në listë, e më pas çdo i treti kandidat të ishte nga mbështetësit e tij.
Më pas, Sejdiu bëri hapin e parë për ta shpëtuar PDK-në nga rënia, duke e futur në qeveri dhe duke i dhënë pushtet legal, ndonëse nëntokën e kishte të kontrolluar gjithandej. Kjo vetëm sa e fuqizoi më tej. Pasuesi i tij, Isa Mustafa, e çoi këtë proces edhe më larg, duke i bërë njërin president të vendit dhe tjetrin kryetar të Kuvendit – banorë të Hagës”, theksoi ai.
Tutje, ai tha se gjithë përçarjet dhe përplasjet atëkohë sollën zhgënjim te elektorati i LDK-së, derisa Mustafa shfytëzoi mundësinë dhe u bë kryetar.
Në këtë pikë, ai tregoi se si u largua më pas Mustafa nga pozita e kryetarit dhe si iu hap rruga Abdixhikut më tej, e ku edhe për këtë kishte kritika.
“Këto zhvillime elektorati i vëzhgonte me vëmendje dhe gradualisht filloi zhgënjimi, duke ia kthyer shpinën LDK-së.
Isa Mustafa e shfrytëzoi pozitën për t’u bërë pjesë e Akademisë, edhe pse kishte qenë jashtë institucioneve universitare për vite të tëra, gjë që bie ndesh me çdo parim akademik.
Prishja e qeverisë me Vetëvendosjen i kushtoi rëndë LDK-së. Ministrat e saj, përveç A. Veliut (për të cilin ka gjetje se bashkë me S. Hysenin kishte takime të fshehta me figura me peshë në PDK), dalloheshin për paraqitjen dhe punën e tyre, duke rritur besimin e elektoratit. Prishja e kësaj qeverie e dëmtoi rëndë partinë.
Mos-hyrja e LDK-së në qeveri me VV-në para zgjedhjeve të fundit dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të reja i kushtoi sërish LDK-së. Sa herë që LDK-ja është sjellë konform veprimeve të PDK-së, ka paguar çmim politik – dhe gjendja aktuale është dëshmi e kësaj.
Takimet e Lumirit me Batonin, përkrahja nga Berati me shokë dhe mbështetja mediatike e strumbullarit të PDK-së janë faktorë që po e çojnë LDK-në drejt rënies. Elektorati nuk i fal veprime të tilla”.
Në fund, tha se përplasja Abdixhiku-Mustafa është si pasojë e grupacioneve të brendshme dhe interesave personale.
Ndonëse, nuk mbështetit Mustafën dhe politikat e tij ndër vite, ai e përkrahi deklaratën e tij se Abdixhiku do duhej të jepte dorëheqje, derisa tha se LDK duhet të kërkojë lider të ri.
“Së fundmi, “përplasja” mes Isës dhe pionerit të tij Lumirit është rezultat i drejtpërdrejtë i grupacioneve, të cilat prioritet kanë interesat e veta – interesa që i kanë kushtuar rëndë vendit dhe partisë. Vetë fakti që është futur votimi i hapur nga Isa Mustafa dhe vazhdon të aplikohet, është një sistem jo konform normave demokratike dhe i papranueshëm.
Isa Mustafa ka të drejtë në kërkesën për dorëheqjen e Abdixhikut, por pozicionimi i tij është hapur favorizues për grupacionin e përfaqësuar nga A. Hoti. Minimumi që do të duhej të bënte Abdixhiku për të rikthyer besimin në LDK do të ishte dorëheqja. Mënyra se si e ka siguruar qëndrimin në krye të LDK-së nuk është e denjë dhe zhgënjimi i elektoratit vetëm sa do të thellohet.
LDK-ja duhet të formojë një komision të pavarur për të kërkuar një lider të ri, qoftë edhe një anëtar i thjeshtë i partisë, që do të kishte tipare të përafërta me Rugovën. Jam i bindur se figura të tilla gjenden gjithandej – duhet vetëm t’u trokasësh dhe t’u japësh besimin mbi bazën e meritokracisë”, përmbylli Xhevat Dajaku për “Bota sot”.