Një shqiptar është sulmuar fatalisht pas një sherri që dyshohet se ka nisur për shkak të aktiviteteve ilegale dhe konflikteve të vazhdueshme.
Fillimisht ka qenë një debat i furishëm dhe më pas goditja me thikë në zemër. Viktima është identifikuar si Dritan Idrizi, 38 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë.
Vrasja është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës (7 gusht), rreth orës 22:00, në kufirin me provincën e Rimini, në Tavullia, në territorin e Pesaro Urbinos.
Edicioni “Marche i Ansa”-s raportoi: “Krimi ndodhi në fund të një debati të dhunshëm mes familjeve me origjinë shqiptare, ku u plagosën të paktën katër persona të tjerë”.
Nga informacionet e para, viktima është 38-vjeçari Dritan Idrizi, banues në zonën e Rimini të San Giovanni në Marignano, i cili më pas ka ndërruar jetë në spitalin Cattolica, ku ishte transportuar për një operacion të dëshpëruar.
Për momentin dinamika e sulmit nuk është përcaktuar ende, teksa policia njoftoi se ka edhe disa të plagosur të tjerë nga përleshja. Të plagosurit e tjerë u transferuan në spitalin e Pesaros.
“Askush nuk është arrestuar deri më tani por hipotezat flasin për vrasje, tentativë vrasje dhe plagosje të rënda dhe Policia po heton”, vijon raportimin kjo agjenci.
Kurse media të tjera publikuan edhe disa detaje shtesë, sikurse fakti se “viktima, i armatosur me shkopinj dhe së bashku me 2 bashkatdhetarë të tjerë, shkoi në shtëpinë e një shqiptari të katërt për të larë hesapet dhe për të mbledhur mijëra euro për punë”.
Teksa më tej theksohet se ai kishte qenë i dënuar më parë për drogë.
Njëri nga anëtarët e grupit duket se ka goditur një prej familjarëve në kokë, ndoshta me çekiç, më pas një person i armatosur me thikë u kundërpërgjigj duke e goditur Idrizin tre herë në gjoks. Ende nuk është identifikuar autori i krimit, teksa hetimet janë ende aktive./RiminiToday