Manifestimi me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxjerrë në pah mosmarrëveshje mes qeverisë së Kosovës dhe organizatave të dala nga lufta.
Më 20 shkurt 2026, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Kryesues i Këshillit u caktua Ejup Maqedonci, ndërsa bashkëkryesues Andin Hoti. Anëtarë të tjerë janë Sami Lushtaku, Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Bashkim Jashari dhe Gazmend Hoxha. Përfaqësues do të kenë edhe OVL-UÇK, Zyra e Presidentes, Kuvendi, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Megjithatë, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) reagoi duke njoftuar se nuk do të marrë pjesë në grupin punues të formuar nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas tyre, ftesa e dërguar më 23 shkurt, ku thuhet se “pjesëmarrja është e domosdoshme”, ka një ton urdhërues dhe nuk reflekton bashkëpunim të barabartë institucional.
OVL-UÇK ka theksuar se kategoritë e dala nga lufta nuk janë vartës të ndonjë ministrie dhe nuk mund të trajtohen me gjuhë urdhëruese për një ngjarje që lidhet me sakrificën e tyre historike. Organizata ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë (Nr. 01/02, 20.02.2026), i cili parashikon përfaqësimin e vetëm një anëtari nga organizatat e dala nga lufta, duke e konsideruar këtë formal dhe të pamjaftueshëm.
“Epopeja e UÇK-së, që lidhet me sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe rënien heroike në Prekaz, nuk është aktivitet protokollar administrativ, ajo është themel moral dhe historik i shtetit të Kosovës,” thekson OVL-UÇK.
Përgatitjet për shënimin e 28-vjetorit, i cili do të mbahet më 5, 6 dhe 7 mars, kanë filluar nga të dyja palët. Këshilli Organizativ, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka mbajtur mbledhjen e parë. Në të morën pjesë anëtarët e Këshillit, si dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht agjenda e aktiviteteve për tri ditët e manifestimit, si dhe ndarja e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve për një organizim dinjitoz. Pas konsultimeve, u miratuan agjenda zyrtare dhe logoja e manifestimit.
Në anën tjetër, OVL-UÇK mbajti një takim të veçantë, të kryesuar nga Hysni Gucati, ku u formua grupi punues i degëve të OVL-UÇK-së, përgjegjës për koordinimin dhe realizimin e aktiviteteve në nivel qendror dhe lokal. “Gjatë mbledhjes u shqyrtua në detaje organizimi i manifestimit treditor, me theks të veçantë në ndarjen e detyrave dhe koordinimin ndërmjet degëve,” thuhet në njoftim.
Pas diskutimeve dhe konsultimeve, Këshilli Organizues ka miratuar logon zyrtare dhe ka propozuar për aprovim agjendën e aktiviteteve, e cila pritet të konfirmohet në ditët në vijim.
Kjo ‘përplasje’ a rrezikon që manifestime të tilla të shndërrohen në arenë ‘gladitorësh’ duke humbur zbehur dimensionin përkujtimor dhe unfikues?
OVL ‘lodër politike’

Naim Miftari
Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, për “Bota sot”, hedh akuza ndaj OVL-së duke thënë se ajo nuk mbron ushtarët e vërtetë të UÇK-së.
Sipas tij, OVL përfaqëson votuesit politikë të PDK-së, AAK-së dhe LDK-së.
“OVL-ja nuk është një organizatë që mbron ushtarët e vërtetë të UÇK-së. Për shumë vite, OVL-ja është shndërruar në një organizatë me karakter politik, që kryesisht mbron interesat e PDK-së dhe të klanit të Drenicës, si dhe, deri diku, interesat e AAK-së dhe të klanit të Dukagjinit. Natyrisht, ajo përfaqëson edhe interesat e disa dhjetëra mijë veteranëve të rrejshëm të luftës, të cilët në fakt janë vetëm votues politikë të PDK-së, AAK-së dhe LDK-së”, deklaron Miftari.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të konsultohet me OVL-në politike të PDK-së dhe AAK-së.
Sipas tij, Qeveria duhet të kujdeset vetë.
“Qeveria e Kosovës nuk duhet fare të konsultohet me OVL-në politike të PDK-së dhe AAK-së, sepse për shumë vite kjo organizatë ka funksionuar vetëm si satelit politik i partive të caktuara. Disa ish-komandantë, pas luftës, janë bërë multimilionerë dhe sot OVL-ja kryen interesat e tyre personale.
Qeveria duhet të kujdeset vetë, në mënyrë të pavarur nga OVL-ja, për mirëqenien sociale të veteranëve të vërtetë të luftës, veçanërisht të atyre që kanë kushte të rënda shëndetësore dhe ekonomike. Çdo bashkëpunim me OVL-në politike është i kota, sepse vendimet dhe hapat që merr qeveria për interes të OVL-së sot janë të pavlefshme; OVL-ja, që prej 20 vjetësh, funksionon si “lodër politike”, e cila përqendrohet vetëm tek paratë, fondet dhe pushteti, duke ruajtur ndikimin për veten dhe për klanet e tyre të interesit”, shton ish- eprori.
“Çështja po politizohet”

Nexhat Haziri
Por, ndryshe mendon analisti Nexhat Haziri, i cili e quan të pakuptim këtë përplasje.
Sipas tij, kjo çështje po tentohet të politizohet.
“Është e pakuptimtë që çdo vit, kur festohet Epopeja e UÇK-së, kemi përplasje mes qeverisë dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. Sidomos me ardhjen e LVV-së në pushtet, kjo ngjarje ka filluar të politizohet. Në këto përplasje ka pasur edhe përfshirje të PDK-së.
Gjithçka duket se tregon një ambicie të aktorëve të përfshirë në këtë çështje: kush ka të drejtën për lavdi, kush duhet të ketë rolin kryesor në organizimin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe kush përfiton më shumë, veçanërisht në aspektin elektoral.
Pra, ajo që do të duhej të na bashkonte si qytetarë, në realitet po na ndan. Për këtë situatë ka përgjegjësi të gjithë ata që përpiqen ta politizojnë dhe ta materializojnë këtë ngjarje politikisht dhe elektoralisht. Edhe këtë vit, ky proces po lë një shije të keqe tek qytetarët”, përfundon Haziri.
